Enciklopedia e viktimave

08/11/2013 01:35

Është promovuar, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, vëllimi i dytë i fjalorit enciklopedik të viktimave të terrorit komunist.

Ky fjalor është një inventar i detajuar dhe përfshin të gjithë ata qytetarë shqiptarë, që iu nënshtruan dhunës dhe terrorit në kohën e diktaturës.

Botimi përfshin tre kategori kryesore; të pushkatuarit, të dënuarit politik dhe të internuarit; dhe vjen si një bashkëpunim mes Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit dhe Fondacionit gjerman “Konrad Adenauer”.

“Për secilin zë dhe emër, ne kemi shfrytëzuar dosjet gjyqësore e hetimore, si dhe të ashtuquajturat dëshmi penale të kohës. Informacioni është i ngjeshur. Synimi kryesor i yni me këtë projekt, fjalor enciklopedik për viktimat e terrorit komunist, është të krijojmë të parën bazë të dhënash të persekutimit, e cila u hap më pas rrugën të gjitha mënyrave të studimit antropologjike, statistikore, politike, sociologjike, ideologjike, etj.”, tha Agron Tufa, drejtor i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit.

Fjalori, sipas z. Tufa, pritet të arrijë deri në 10 vëllime. E pranishme në promovim ka qenë edhe ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, e cila ka theksuar se librat kanë një rëndësi të veçantë, jo vetëm për vlerat e tyre historike, por edhe ato shkencore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA