Britani, burg përjetë marinsit vrasës

08/11/2013 00:00

Një marins i Marinës Mbretërore është shpallur fajtor nga një gjykatë ushtarake për vrasjen e një rebeli të plagosur afgan në vitin 2011.

Lajmin e bën të ditur BBC në edicionin online, ku thuhet se dy marinsa të tjerë janë shfajësuar nga e njëjta gjykatë në Uiltshajër.

Tre marinsat, të cilët mediat u referohen me gërmat A, B dhe C kanë mohuar vrasjen e personit, që sipas hetuesve ka ndodhur gjatë një patrullimi në provincën e Helmandit në vitin 2011.

Marinsi A u dënua pasi prokurori tha se ai e kishte qëlluar personin në një rreze të afërt, duke e konsideruar një ekzekutim të pastër. Ai u dënua me burgim të përjetshëm dhe u mor menjëherë nën kontroll.

Marinsi B e filmoi pa paralajmërim incidentin, që ndodhi më 15 shtator 2011, përmes kameras së montuar në helmetën e tij dhe pamjet u transmetuan në sallën e gjyqit, që zgjati rreth dy javë.

Në pamje shfaqet marinsi A që qëllon të burgosurin afgan me një pistoletë 9 milimetërshe dhe që thotë: “Ja ku të zura. S’po të bëj ndonjë gjë që t’i nuk do të na e bëje neve”. “S’ke për të shkuar asgjëkundi. Unë sapo shkela Konventën e Gjenevës”.

Gjatë gjyqit ushtarak, prokurori David Perry tha për trupin gjykues: “Nuk ishte një vrasje në mes të një stërvitjeje apo një shkëmbimi zjarri. për palën e akuzës ajo ishte një ekzekutim, një ekzekutim i pastër”.

Marinsi A u dënua nga një bord prej shtatë anëtarësh, mes të cilëve oficerë dhe nënoficerë të forcave të armatosura. Policia Ushtarake Mbretërore i arrestoi tre marinsat në tetor të vitit 2012, pasi pamjet e vrasjes u gjetën në kompjuterin e një polici civil në Mbretërinë e Bashkuar.

Top Channel