Jeronim Bazo, Shefi i ri Forcave të Armatosura mori të premten zyrtarisht detyrën pasi bëri betimin tek Presidenti i Republikës Bujar Nishani.
Ceremonia e betimit u mbajt në selinë e kreut të shtetit, ku Gjeneral Major Jeronim Bazo edhe zyrtarisht merr detyrën si Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Sipas njoftimit të dhënë nga Presidenca, betimi i tij u bë gjatë një ceremonie protokollare përpara Presidentit të Shqipërisë, Bujar Nishani.
Një ditë më parë Presidenti dekretoi emërimin e Bazos, të propozuar nga Kryeministri Edi Rama, në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm.
Bazo zëvendëson në detyrë Gjeneral Major Xhemal Gjunkshin, i cili dha dorëheqjen disa ditë më parë. Jeronim Bazo ka ushtruar detyrën e këshilltarit ushtarak të Presidentit Nishani prej gushtit të vitit 2012 e deri tani, ndërsa më herët ka punuar si Drejtor i Planifikimit të Mbrojtjes në Forcat e Armatosura.
Top Channel