Udhëheqësi i ri i talebanëve, më i ashpër

07/11/2013 00:00

Pas vrasjes së Hakimullah Mehsud nga një sulme me avionë të telekomanduar, talebanët kanë zgjedhur udhëheqësin e tyre të ri. Ai është Mullah Fazlullah, i njohur si një drejtues i vijës së ashpër, njerëzit e të cilit morën përsipër edhe sulmin ndaj Malala Yousufzai.

Mehsud dhe katër persona të tjerë, dy prej të cileve truprojat e tij u vranë pasi katër raketa goditën automjetin me të cilin udhëtonin në pjesën veri-perëndimore të Vaziristanit Verior.

Qeveria pakistaneze dënoi me forcë sulmin amerikan, që sipas tyre nuk vrau thjesht një person, por shkatërroi të gjithë procesin e bisedimeve të paqes me talebanët. Sulmi ndodhi një ditë përpara se një delegacion qeveritar të udhëtonte drejt Vaziristanit Verior për t’u takuar me Mehsud dhe krerë të lartë të militantëve talebanë.

Uashingtoni reagoi menjëherë. Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit i konsideroi negociatat e paqes si një “çështje e brendshme e Pakistanit”. Në deklaratën e tij, zëdhënësi gjithashtu theksoi se Islamabadi dhe Uashingtoni kanë rënë dakord më parë mbi interesin e përbashkët strategjik për të luftuar dhunën ekstremiste.

Mehsud u bë i njohur në vitin 2007. Ai drejtoi kryengritjen në Vaziristanin Verior dhe për kapjen e tij FBI kishte vendosur 5 milionë dollarë. Ai ishte përgjegjës për vdekjen e mijëra personave. Në një intervistë të rrallë për BBC-në dy javë më parë, Mehsud ishte shprehur i gatshëm për të zhvilluar bisedime serioze për paqe me qeverinë pakistaneze.

Top Channel