Rusia: Indinjata e BE, një farsë

07/11/2013 00:00

Indinjata e liderëve evropianë për skandalin e përgjimeve të bisedave të
tyre telefonike nga ana e shërbimeve sekrete amerikane do të sheshohet
shpejt.

Kështu ka deklaruar me sarkazmë Alexei Pushkov, president i komisionit të jashtëm të Dumës ruse, sipas të cilit arsyeja për këtë sheshim është se lidershipi evropian varet nga SHBA.

“Administrata Obama nuk duket shumë e shqetësuar nga irritimi evropian”, ka ironizuar Pushkov në profilin e tij në rrjetin social Twitter.

Aktualisht Rusia ka ftohur marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara për faktin se i dha azil ish-kontraktorit të NSA-së, Edward Snowden.

Ky i fundit, në një takim me një parlamentar gjerman dha detaje të tjera për përgjimet e administratës amerikane, si dhe shprehu gatishmërinë për të dëshmuar në Uashington.

Por avokati i tij, Anatoly Kucherena tha për reporterët në Moskë se klienti i tij nuk mundet të largohet nga Rusia për të dëshmuar mbi akuzat e spiunazhit nga Amerika.

Kucherena tha se do të këshillonte Snowden të mos dëshmonte, nëse e gjitha kjo nuk do të ishte në interesin më të mirë të klientit të tij.

Snowden ndodhet në Moskë që prej qershorit, kur mbërriti atje nga Hong Kongu. Në gusht, pasi kishte kaluar rreth 5 javë i fshehur në aeroportin ndërkombëtar Sheremetyevo të Moskës, Rusia i ofroi atij azil për 1 vit.

Top Channel