Pakistan, lirohet Pervez Musharraf

07/11/2013 00:00

Ish-lideri ushtarak i Pakistanit, Pervez Musharraf është liruar nga arresti i shtëpisë dhe është i lirë të lëvizë në mbarë vendin, njoftuan autoritetet lokale.

Lirimi vjen disa ditë pasi ai u shfajësua për operacionin ushtarak të vitit 2007 për të dëbuar militantët nga Xhamia e Kuqe e Islamabadit, që ishte dhe beteja e fundit ligjore e tij.

Por ish-gjenerali do të mbetet nën mbikëqyrjen e qeverisë dhe nuk mund të lërë vendin. Gjithashtu, mbetet e paqartë nëse ai do të lërë edhe arrestin e shtëpisë për shkak të kërcënimeve me jetë.

Arresti 7-mujor i shtëpisë ishte një rast i papreçedent në një vend që është qeverisur nga regjime ushtarake për më shumë se gjysma e historisë së tij.

Duke folur dy ditë më parë, avokati i tij tha se zoti Musharraf nuk ka ndërmend të largohet nga Pakistani dhe përsëriti se të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij kanë qenë të motivuara politikisht.

Autoritetet përgjegjëse deklaruan për agjencinë e lajmeve “Associated Press” se gardianët e burgut ishin tërhequr mbrëmjen e së mërkurës nga vila e zotit Musharraf në rrethinat e Islamabadit.

Ditën e martë gjykata pranoi lirimin me kushtin që ish-lideri ushtarak të paguante një gjobë prej 2 mijë dollarësh, raportojnë mediat ndërkombëtare online.

Operacioni i urdhëruar nga zoti Musharraf në Xhaminë e Kuqe la një klerik dhe mbi 100 të tjerë të vdekur dhe solli një rebelim fatal të militantëve pakistanezë, tërbimi i të cilëve ndihet edhe sot.

Më herët gjatë vitit ai u kthye në Pakistan nga mërgimi që kishte zgjedhur për të kundërshtuar zgjedhjet, të cilat u fituan nga Nawaz Sharif, njeriu që ai rrëzoi në vitin 1999.

Top Channel