Persona të paidentifikuar kanë hedhur një mjet shpërthyes në zyrat e Partisë Demokratike të Kosovës në Lagjen e Boshnjakëve, në veri të Mitrovicës.

Shefi rajonal i Policisë së Kosovës, Zhelko Bojiç ka thënë për mediat serbe se incidenti ka ndodhur rreth orës 2 të mëngjesit dhe ka shkaktuar vetëm dëme materiale.

I cituar nga “REL”, Bojiç ka thënë gjithashtu se Policia e Kosovës ka nisur tashmë një hetim për këtë sulm.

Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë mori vendimin për anulimin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit për tri qendrat e votimit në komunën e Mitrovicës veriore, për shkak të dëmtimit të kutive të votimit.

Sipas rekomandimeve të KQZ-së, ky vendim u mor me qëllim të këqyrjes së materialeve të cilat gjenden në këto kuti, për katër komuna: Mitrovicë e veriut, Leposaviç, Zubin Potok dhe Zveçan.

Për këtë ranë dakord në Bruksel edhe kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë, siç konfirmoi ndërmjetësuesja e BE-së, Catherine Ashton, në përfundim të raundit të radhës të dialogut të Brukselit.

“Ne patëm bisedime shumë të mira dhe pamë se do të ketë progres të mirë në trajtimin e pjesës së mbetur të procesit zgjedhor. Sigurisht që me detajet e këtij procesi do të merret Prishtina”, deklaroi Ashton.

Ndërsa sipas kryeministrit Thaçi, zgjedhjet në veri pritet të mbahen para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që do të zhvillohen me 1 dhjetor.

Ndërsa kryeministri Daçiç iu bëri thirrje serbëve të Kosovës për proces të rregullt zgjedhor në veri, që të mos luajnë me fatin e Serbisë, rrugëtimi evropian i së cilës varet nga zbatimi i Marrëveshjes së prillit.

Top Channel