Krijuesi i web-it: Përgjimet, një marrëzi

07/11/2013 00:00

Shkencëtari britanik i kompjuterëve, që krijoi world wide web, i ka cilësuar përgjimet e agjencive amerikane e britanike të spiunazhit si “të çmendura dhe një marrëzi”.

Sir Tim Berners Lee tha për “The Guardian” se praktika minon përpjekjet për të luftuar kriminalitetin dhe spiunazhin informatik. Ai bëri thirrje për një debat publik të hapur në internet mbi këtë temë.

Deklarata vjen në kohën kur një komision parlamentar do të marrë në pyetje krerët e shërbimeve sekrete britanike, GCHQ, MI5 dhe MI6, të gjithë së bashku në publik për herë të parë.

Sir Tim tha se sistemi “checks and balances” për të mbikëqyrur veprimtarinë e GCHQ dhe homologes amerikane NSA ka dështuar.

Detaje për punën e bërë nga agjencitë dhe të publikuara nga e përditshmja “The Guardian” kanë ardhur si pasojë e rrëfimit të ish-kontraktorit të NSA-së, Edward Snowden.

Sir Tim tha gjithashtu se agjencitë kanë dobësuar sistemet online të sigurisë duke zbardhur kodet e përdorura nga përdoruesit e internetit për të ruajtur privatësinë e tyre.

Ai shtoi gjithashtu se bëhet fjalë për një tradhti në industrinë e teknologjisë. “Zbuluesit e këtyre skandaleve dhe mediat që publikojnë zbulimet luajnë një rol të rëndësishëm në shoqëri”, tha ai.

“Neve na duhen agjenci të fuqishme për të luftuar kriminalitetin online, por çdo agjenci e fuqishme duhet të mos e kalojë cakun. Dhe, në bazë të zbulimeve të fundit, duket se sistemi i tyre ‘check and balance’ ka dështuar”, theksoi Sir Tim.

Ai shtoi se publikimi në media i informacioneve të Snowden ka qenë në interesin e publikut dhe ka nxjerrë në dritë shumë çështje të rëndësishme që tani duhet të zgjidhen në debate publike.

Top Channel