Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon ka përshëndetur
pjesëmarrjen aktive të popullsisë së Kosovës në zgjedhjet lokale të tre
nëntorit.

“Zgjedhjet janë një element vendimtar në zbatimin e marrëveshjes së Brukselit mes Beogradit dhe Prishtinës”, ka vlerësuar Ki Moon në një komunikatë për shtyp.

Por nga ana tjetër, shefi i Pallatit të Qelqtë ka dënuar sulmet në vendvotimet në veri të Mitrovicës, përfshirë kërcënimet fizike të zyrtarëve zgjedhorë dhe asgjesimin e materialit elektoral.

”Sekretari fton të gjitha palët e përfshira që të sigurojnë përmbyllje të qetë të procesit zgjedhor në një atmosferë larg frikësimit dhe dhunës”, thuhet në komunikatë.

Edhe Franca ka përshëndetur mbarëvajtjen e përgjithshme të raundit të parë të zgjedhjeve lokale të mbajtura në Kosovë, duke thënë se niveli i pjesëmarrjes ishte përgjithësisht i kënaqshëm.

Edhe votimi në komunat serbe në jug të Kosovës, sipas Parisit zyrtar, është shenjë e pranimit gjithnjë e më të madh të institucioneve të Prishtinës nga komuniteti serb.

“Mbarëvajtja e përgjithshme e këtyre zgjedhjeve u takon të gjitha palëve, si në Beograd ashtu dhe në Prishtinë, të cilët kanë favorizuar pjesëmarrjen e mirë të votuesve në këto zgjedhje”, thuhet në deklaratën e zëdhënësit të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Francës.

Por edhe qeveria franceze ka dënuar dhunën në veri, e cila sipas njoftimit u ushtrua nga një pakicë e radikalëve që janë kundër normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Top Channel