John Kerry , Sekretari amerikan i Shtetit, ka bërë të ditur se blloqet e reja të banimit të Izraelit në territoret e pushtuara janë “të paligjshme” dhe nuk ndihmojnë në përpjekjet aktuale për paqe, mes Palestinës dhe Izraelit.
Komentet e Kerry-t gjatë së mërkurës, erdhën pasi ai u takua me Mahmoud Abbas, presidentin palestinez, në Bethlehem.
“Më lejoni të theksoj se pozicioni i Shteteve të Bashkuara është se, ne i konsiderojmë dhe gjithmonë i kemi konsideruar ndërtimet të paligjshme”, tha ai, duke shtuar se nuk ka asnjë marrëveshje që palestinezët të njohin blloqet ilegale të banimit në këmbim të paqes.
“Dua ta bëj jashtëzakonisht të qartë se në asnjë kohë dhe në asnjë lloj mënyrë, palestinezët nuk kanë një arritur një marrëveshje, si pjesë e kthimit të tyre në bisedime, që do të detyronin ata disi të pranonin ose falnin ndërtimet”, tha ai.
Sipas korrespondentëve në Jeruzalem, deklarata e Kerry-t është tepër e fortë për një politikan amerikan, pasi “në të shkuarën fraza e përmendur për ndërtimet izraelite ka qenë ‘jo ndihmuese’ për arritjen e paqes”.
Kerry njoftoi gjithashtu se SHBA-të do të jepnin 75 milionë dollarë ndihma për ekonominë palestineze. Më herët gjatë ditës, pasi u takua me kryeministrin izraelit Benjamin Netayahu dhe presidentin e Izraelit, Shimon Peres, pikërisht në Jeruzalemin e pushtuar, ai pranoi se bisedimet për paqe kanë kaluar përmes vështirësive.
Kerry foli për nevojën e një “kompromisi real dhe vendimmarrjeje të vështirë” nga të dyja palët.
“Presidenti Obama synon përparaimin, ashtu siç dua dhe unë, ndaj dhe kemi besim te ky proces, ndryshe nuk do të kishim harxhuar kohë me të”, tha ai gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Netanyahu-n në Jeruzalem.
Netanyahu mbajti një qëndrim më të rëndë. “Jam i shqetësuar për progresin, sepse shoh palestinezët të vazhdojnë me nxitjen, me krijimin e krizave artificiale, shmangien dhe ikjen nga vendimet decizive, të cilat janë të nevojshme për të arritur një paqe të mirëfilltë”, tha ai, me Kerry-n në krah.
Top Channel