Irani: Të rrëzohet muri i mosbesimit

07/11/2013 00:00

Ministri i Jashtëm iranian ka shprehur optimizëm të matur mbi bisedimet e ardhshme mbi programin bërthamor të Teheranit, duke thënë se çështja nuk është e pazgjidhshme.

Fuqitë botërore dhe Irani pritet të takohen në Gjenevë më vonë gjatë së enjtes për një raund tjetër bisedimesh.

Ministri i Jashtëm Javad Zarif deklaroi se bisedimet do të jenë të vështira, por synimi do të jetë “kapërcimi i murit të mosbesimit” të krijuar nga politikat e Perëndimit.

Perëndimi nga ana e tij dyshon se Irani po përpiqet të prodhojë armë bërthamore, ndërkohë që Teherani nga ana e tij insiston se programi bërthamor ka vetëm qëllime paqësore.

Në komentet e transmetuara nga televizioni iranian, zoti Zarif përsëriti se qëndrimi afatgjatë i Iranit se nuk ka ndërmend të prodhojë armë bërthamore është një politikë e Republikës Islamike.

Takimi dyditor në Gjenevë vjen pasi dy palët i cilësuan bisedimet e muajit të kaluar si “të rëndësishme dhe të avancuara”. Negociatorët ndërkombëtarë deklarojnë se po shqyrtojnë propozimin e Iranit, edhe pse detaje mbi të nuk janë publikuar ende.

Raundi i fundit i bisedimeve do të mbledhë autoritetet iraniane dhe përfaqësuesit e grupimit “5+1”, konkretisht pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit dhe Gjermaninë.

Në prag të takimit, një zyrtar i hershëm i administratës amerikane tha për gazetarët se Uashingtoni do që Teherani të bjerë dakord për hapin e parë, për ndaljen e avancimit të mëtejshëm të programit bërthamor.

Top Channel