“Gjeneva 2”, Siria merr pjesë, por pa parakushte

07/11/2013 03:20

Zyrtarë të qeverisë siriane do të marrin pjesë në konferencën ndërkombëtare të quajtur “Gjeneva 2”, që është ngarkuar me gjetjen e një zgjidhjeje për t’i dhënë fund dhunës së përhapur në vend që prej marsit 2011, ka raportuar Agjencia Siriane e Lajmeve Arabe (SANA), të mërkurën.

Këshilltarja e presidentit, Bouthaina Shaaban, tha për televizionin “Russia Today”, gjatë së martës, se qeveria do të marrë pjesë vetëm nëse nuk vendosen parakushte dhe me objektivin për t’i dhënë fund dhunës dhe terrorizmit në vend, raporton SANA.

Ajo është tallur me koalicionin opozitar, të cilën e konsideron si një front të inteligjencës saudite. “Kë përfaqëson koalicioni?”, ishte një pyetje retorike e Shaaban, teksa ka cituar më pas dy grupe të përshkruara si terroriste nga Departamenti amerikan i Shtetit. “A mos përfaqëson al-Qaeda-n, apo Jabhat al-Nusra-n?”.

Shaaban e përshkroi qeverinë siriane si një përfaqësuese legjitime dhe të zgjedhur nga populli sirian.

Në Bejrut, ministri i Jashtëm në detyrë, Adnan Mansour, tha përmes një deklarate të publikuar të martën, se “Gjeneva 2” është e vetmja zgjidhje për krizën dhe se Libani do të marrë pjesë nëse ftohet, raporton më pas SANA.

Konferenca e shtyrë prej një kohe të gjatë nuk pritet të mbahet përpara dhjetorit, bën të ditur agjencia shtetërore ruse e lajmeve, “Itar-Tass”, duke cituar burime të afërta mes OKB-së, Rusisë dhe SHBA-ve.

Përfaqësues nga OKB, Rusia, SHBA u takuan të martën në Gjenevë, me shpresën e hartimit të një plani për bisedimet, të cilat janë mbajtur pjesërisht, pasi shumë degë të opozitës siriane kanë deklaruar se nuk do të marrin pjesë ose të paktën jo, nëse nuk vendosen parakushte.

19 grupe të mëdha islamikësh rebelë, për shembull, refuzuan kategorikisht pjesëmarrjen muajin e kaluar. Disa prej tyre duan që presidenti sirian, Bashar al-Assad, të japë dorëheqjen përpara bisedimeve. Ndërsa Koalicioni Kombëtar Sirian ka thënë se nuk do të marrë pjesë nëse Irani, një aleat i regjimit sirian, do të ftohet.

Ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov, tha se nuk do të ketë parakushte për bisedimet, raportoi “Itar-Tass” gjatë së martës, duke shtuar se parakushtet do të ndikonin kundër planeve të SHBA-ve dhe Rusisë, që kanë ideuar qysh herët konferencën.

Top Channel