Filipine, shënohen viktimat e para të tajfunit

07/11/2013 23:00

Duke përfshirë rreth 25 milionë njerëz gjatë rrugës së tij, një nga stuhitë më të fuqishme tropikale që është parë ndonjëherë, supertajfuni Haiyan, goditi Filipinet gjatë mëngjesit të së premtes, raporton shërbimi meteorologjik kombëtar.

Të paktën 3 persona, përfshi një foshnjë 1-vjeçare, kanë mbëtur të vdekur. Foshnja dhe një person tjetër janë goditur nga mbeturinat e stuhisë në provincën Cotabato, ka bërë të ditur Këshilli Kombëtar për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rreziqeve nga Fatkeqësitë.

Në Cebu, një grua mbeti e vdekur pasi u godit nga rënia e një peme kokosi, sipas qeverisë provinciale të Cebu-së.

Stuhia më e fuqishme e vitit ka goditur tashmë Filipinet, ku me mijëra kanë nisur të largohen që prej së
enjtes nga zonat e rrezikuara mes paralajmërimeve për katastrofë
natyrore.

Cikloni me erëra që mund të mbërrijnë maksimumi deri në 380 km/orë është vërtitur në perëndim të Paqësorit për t’u kthyer tani nga rajonet qëndrore të arkipelagut.

Fuqia e supertajfunit “Haiyan” është e barabartë me atë të një uragani të kategorisë së pestë, edhe pse kur të prekë tokën mëngjesin e së premtes, erërat e tij pritet ta reduktojnë shpejtësinë në 240 km/orë.

Stuhia, thotë CNN, është aq e madhe në diametër, sa retë e saj mbulojnë gati dy të tretat e të gjithë vendit.

Gati 4.000 vetë u evakuuan nga zonat e populluara në qendër të Filipineve, ndërsa pritet që superstuhia dhe shirat e saj të rrëmbyer të prekin me miliona vetë.

Për 30 provinca, agjencia e motit “Pagasa” ka lëshuar paralajmërime për vërshime ujrash e rrëshqitje toke.

Shumë shkolla janë mbyllur, ekipet e ndërhyrjes së shpejtë janë në gatishmëri dhe linjat ajrore kanë pezulluar fluturimet.

Më të rrezikuarit janë banorët e ishullit Bohol, i cili është shumë pranë rrugës së parashikuar të stuhisë. Muajin që shkoi, Boholi u godit nga një tërmet 7,1 ballësh, i cili mori më shumë se 220 jetë njerëzish e detyroi 350,000 të tjerë të shpërngulen.

Një tjetër ishull, në trajektoren e mundshme të ciklonit, është resorti i Boracay-t, e kjo ka detyruar shume turistë të lënë përgjysmë pushimet dhe t’i largohen rrezikut të mundshëm.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA