Në një deklaratë, EULEX-i dhe KFOR-i sqarojnë natyrën e operacioneve që u zhvilluan të dielën në veri të Kosovës. Duke iu përgjigjur komenteve deklarata e përbashkët zbardh detajet.

“Atë ditë Policia e Kosovës e kishte rolin kryesor, si ndërhyrja e parë. EULEX-i ishte ndërhyrja e dytë dhe KFOR-i ishte ndërhyrja e tretë”, thuhet në deklaratë.

“Në pajtim me përgjegjësitë e tij, EULEX-i menjëherë i ka ofruar PK-së ndihmë shtesë pas një sulmi të kryer në vendvotimin në veri të Mitrovicës për t’i ofruar siguri personelit të OSBE-së dhe të Misionit Mbikëqyrës të BE-së që ishin dërguar atje. Personeli i KFOR-it në veri ndërhyu gjithashtu, duke dërguar personel shtesë, përfshirë Forcën për Reagim të Shpejtë, për t’i siguruar urat në lumin Ibër dhe për ta parandaluar kështu përkeqësimin e situatës. Në të njëjtën kohë, mbi atë zonë u dërgua një kompani tjetër e KFOR-it me helikopterë, duke i dërguar dy toga në Zveçan dhe dy te tjera në Zubin Potok. Veprimet e ndërmarra nga EULEX-i dhe nga KFOR-i e ndalën në mënyrë efektive përshkallëzimin e dhunës, dëmtimin e mëtejshem të procesit të votimit.  Sikur ndodh me çdo operacion policor, mësimet do të nxirren gjatë procesit të analizimit të tij dhe ato do të zbatohen në operacionet e ardhshme të kësaj natyre” përfundon deklarata e EULEX dhe KFOR.

Top Channel