BQE ul sërish normën e interesit

07/11/2013 00:00

Me një lëvizje të konsideruar si surprizë nga shumë analistë, Banka Qendrore Europiane vendosi uljen e normës së interesit nga 0.5 përqind në 0.25 përqind.

Presidenti i BQE-së, Mario Draghi tha se vendimi ishte reflektim i inflacionit të ulët dhe ekonomisë së dobët në vendet e Eurozonës.

Inflacioni në Eurozonë për muajin tetor ra në 0.7 përqind, niveli më i ulët ky që prej muajit janar të vitit 2010, duke rritur shqetësimet se disa vende mund të preken nga deflacioni.

Cmimet në Greqi, vendi i Eurozonës më i prekur nga kriza ekonomike, nuk janë rritur që prej muajit korrik, ndërsa disa ekonomistë shprehin shqetësimin për mundësinë e deflacionit që mund të prekë Spanjën.

Synimi i BQE-së është mbajtja e inflacionit rreth 2 përqindëshit, që vlerësohet si niveli më i shëndetëshëm për një rritje ekonomike.

Duke folur në një konferencë për shtyp pas njoftimit për uljen e normës së interesit, Mario Draghi tha se BQE e kishte parashikuar një periudhë të gjatë të inflacionit të ulët, por jo në nivelin që tregojnë shifrat e muajit tetor.

Ai tha se të dhënat e Ekonomisë së Eurozonës tregojnë një aktivitet të dobët ekonomik, jashtë parashikimeve të institucionit që ai drejton. Analistët thonë se forcimi i Euros përballë dollarit ka qenë arsyeja kryesore e vendimit të BQE-së për uljen e normës së interesit.

Në korrik të 2012, BQE vendosi uljen e normës së interesit në 0.75 përqind, ndërsa në maj të këtij viti në 0.5 përqind për të mbërritur tek vendimi i fundit në 0.25 përqind, më e ulta në gjithë historinë e Bankës Qendrore Europiane.

Top Channel