Mesditën e së premtes uniformat blu të kryeqytetit arrestuan një ish-kolegun e tyre të policisë rrugore nën akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të dokumenteve.
I arrestuari është inspektori Renato Gjonaj. Ai u prangos nga oficerët e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm të Policisë në bazë të një urdhëri të nxjerrë nga Gjykata e Tiranës.
Dokumentimi ligjor i kësaj veprimtarie së paligjshme të inspektorit Gjonaj u arrit pas një hetimi disa javor nga strukturat e SHKB-se për Tiranën. Nga hetimet e kryera është provohet se punonjësi i policisë Renato Gjonaj në periudhën korrik-gusht 2013, gjatë kryerjes së detyrës së tij funksionale, nëpërmjet mekanizmit të falsifikimit të Procesverbalit të Konstatimit të Shkeljeve, ka konsumuar në 32 raste elementet e veprës penale “falsifikim i dokumenteve” dhe në 5 raste veprën “Shpërdorim i detyres”.
Dyshohet se Gjonaj nuk dorëzonte mjetet e bllokuara prej tij në parkun e policisë, ndërsa manipulonte shifrat e gjobës për të përfituar personalisht. Këto shkelje të ligjit janë provuara me dëshmitë e drejtuesve të mjeteve të gjobitur prej Gjonajt, kqyrjet e dokumenteve dhe akt ekspertimet nga Instituti i Policisë Shkencore.
Ndërkohë janë duke u kryer veprime të tjera hetimore për thellimin e të dhënave paraprake të këtij hetimi si në drejtim të këtij subjekti ashtu edhe ndaj subjekteve të tjera të implikuara në veprimtari të dyshuar kriminale.
Renato Gjonaj ishte njëri prej punonjësve të Komisariatit të Policisë Rrugore të Tiranës, që u larguan nga detyra në muajin shtator të këtij viti, pas reformës së nisur aty. Materiali kallëzues ndaj tij është depozituar në Prokurorinë e Rrethit që më 23 shtator 2013.
Top Channel