Kryeministrat e Kosovës dhe të Serbisë ranë dakort në Bruksel për hapat e mëtejshëm të procesit zgjedhor në zonat problematike të veriut të Mitrovicës, siç konfirmoi ndërmjetësuesja e BE-së, Catherine Ashton, në përfundim të raundit të radhës të dialogut të Brukselit.

“Ne patëm bisedime shumë të mira dhe pamë se do të ketë progres të mirë në trajtimin e pjesës së mbetur të procesit zgjedhor. Sigurisht që me detajet e këtij procesi do të merret Prishtina”, deklaroi Ashton.

Sipas kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, zgjedhjet në veri pritet të mbahen para raundit të dytë të zgjedhjeve lokale, që do të zhvillohen me 1 dhjetor.

“Ishte konkludim i përbashkët që zgjedhjet e suksesshme të 3 nëntorit kanë legjitimuar Marrëveshjen e arritur në Bruksel. Është hapur një kapitulli i ri evropian edhe për pjesën e veriut të Kosovës. Nga 1 dhjetori do të kemi edhe liderët e rinj legjitim edhe në veri dhe qeveria e Kosovës do të bashkëpunojë me ta për të ndryshuar jetën e qytetarëve për më mirë”, deklaroi Thaçi.

Ndërsa kryeministri serb Ivica Daçiç iu bëri thirrje serbëve të Kosovës për proces të rregullt zgjedhor në veri, që të mos luajnë me fatin e Serbisë, rrugëtimi evropian i së cilës varet nga zbatimi i Marrëveshjes së prillit.

“Bëhet fjalë për rreth 20 mijë votues në veri të Mitrovicës. A mendon dikush me të vërtetë seriozisht se për shkak të 20 mijë votuesve do të sakrifikohet fati i gjashtë deri shtatë milionë njerëzve në Serbi?”, tha Daçiç.

Raundi i ardhshëm i dialogut Kosovë-Serbi pritet të mbahet më 5 dhjetor, pas raundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë dhe para vendimit të Këshillit Evropian për nisjen apo jo të bisedimeve për anëtarësimin e Serbisë në BE.

Përgatiti: Ernest BUNGURI

Top Channel