Izraeli avancon në operacionin tokësor në Liban, IDF jep urdhrin për evakuimin e plotë të banorëve Kryebashkiaku i ri i Nju Jorkut është demokrati Bill de Blasio. 52-vjeçari fitoi ndaj rivalit Joe Llota në zgjedhjet e së martës dhe, zyrtarisht, do ta marrë postin në muajin janar, duke zënë vendin e miliarderit Michael Bloomberg, i cili pas 12 vjetësh dhe tre mandateve si kryebashkiak nuk mund të kandidonte më.
De Blasio deri tani ka ushtruar detyrën e të ngarkuarit për të drejtat e qytetarëve. Avokati pati premtuar gjatë fushatës zgjedhore se, po të fitonte do të rriste tatimet për të pasurit, do të përmirësonte kujdesin ndaj të miturve, standardin nëpër shkolla e do t’i bënte, po kështu, banesat për qytetarët më të përballueshme nga ana financiare.
Votime pati edhe në shtetet e Nju Xhersit dhe Virxhinias. Në Nju Xhersi u rizgjodh guvernatori republikan Chris Christie. Politikani 51-vjeçar, i cili u bë i njohur me angazhimin e tij për uraganin “Sandy” para një viti, konsiderohet kandidat i mundshëm i republikanëve për president në zgjedhjet e 2016-s.
Ai triumfoi në garën relativisht të lehtë ndaj senatores demokrate të shtetit, Barbara Buono. Në Virxhinia fitoi, me një diferencë të ngushtë, demokrati Terry McAuliffe, ish-kryetar i Komitetit Kombëtar Demokratik, i cili u përball me rivalin republikan, Ken Cuccinelli, Prokuror i Përgjithshëm shteti.
Por çfarë mesazhi përcollën këto zgjedhje? Në të gjitha garat elektorale pati pak zhvillime dramatike; më shumë ato shihen si parathënie e zgjedhjeve të mesmandatit, vitin që vjen, apo Presidencialet e 2016-s.
Për CNN-in, 5 janë sinjalet më të rëndësishme që mbërrijnë nga këto votime. Së pari, stratagemat e demokratëve vazhdojnë të kenë efekt te zgjedhësit: McAuliffe rrëmbeu dritat e skenës duke tërhequr në anën e tij, deri edhe republikanë miq të biznesit, si dhe donatorë të rëndësishëm.
Kundërshtarët nuk arritën të dërgojnë veçse një mesazh të paqartë. Së dyti, demokratët po ua kalojnë republikanëve në shpenzime; nuk ndodh shpesh nëpër fushata, por është e qartë se luftën e parave në Virxhinia e fituan ata.
Lista vazhdon me shpresat e mëdha që Cuccinelli kishte varur te pjesëmarrja e konservatorëve, por pikërisht fakti, që pasuesit e tij janë të krahut ekstrem e jo të moderuar, ndikoi shumë në humbje. Premtime pa fund, ecejake e përpjekje politike për të bindur zgjedhësit, por në fund fjalën e thotë vota e hedhur në kuti, thotë CNN.
Të mos harrojmë, – vazhdon gjigandi amerikan, – që për gati dy dekada McAuliffe ka qenë një prej miqve më të ngushtë të Bill Clinton, dhe një prej këshilltarëve të tij më të besuar, ndaj mund të thuhet se ndikimi i ish-presidentit është rikthyer në politikën amerikane.
Top Channel