“Përgjimet, po rishikojmë aktivitetin”

06/11/2013 00:30

Me qetësi, buzëqeshje e shtrëngime duarsh, Sekretari amerikan John Kerry është përpjekur të minimizojë shqetësimet europiane mbi skandalin e përgjimeve, që sipas shefit të diplomacisë amerikane nuk duhet të ndikojë, sidomos, te bisedimet e tregtisë mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian.

Gjatë një ndalese në Poloni, Kerry e theksoi në mënyrë të veçante faktin që Washington-i po i rishikon aktivitetet e përgjimit. Ne do të punojmë ngushtë me aleatët, – tha ai, – për t’u siguruar që hapat e mëtejshëm të ndërmerren “në mirëkuptim të plotë dhe marrëveshje reciproke”.

“Të gjitha këto pyetje legjitime për NSA-në, dhe aktivitete të tjera, nuk duhet të na pështjellojnë. Siç e kam thënë edhe më parë, ne duam ta dëgjojmë mendimin e aleatëve, duam ta bëjmë këtë bisedë me ta. Presidenti Obama e mirëpret mundësinë e bashkëpunimit dhe, nëse gjejmë zgjidhjen e drejtë; dhe do ta gjejmë; ne jo vetëm do të jemi në gjendje të lehtësojmë shqetësimet, por do të arrijmë praktikisht edhe t’i forcojmë marrëdhëniet tona të zbulimit”, tha Kerry.

Kryediplomati amerikan i mëshoi rëndësisë së madhe që marrëveshja tregtare ka për punësimin dhe konkurencën globale.

Një pakt i tillë, në këndvështrimin e Kerry-t, mund të rrisë standardet e mënyrës se si bota bën biznes. Negociatat vijnë në një kohë kur shumë qeveri europiane u kanë kërkuar Shteteve të Bashkuara shpjegime mbi njoftimet e monitorimit të telefonatave të kancelares gjermane, Angela Merkel, dhe aleatëve të tjerë.

Ndërkohë, Brazili, kritik i ashpër i organizmave amerikanë të inteligjencës, që kanë mbledhur informacione zbulimi brenda kufijve të tij, pranoi se agjencitë sekrete braziliane kanë përgjuar misionet e huaja diplomatike, përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara, Iranit dhe Rusisë.

Megjithatë, deklarata shton se operacionet e tij të spiunazhit, të kryera në vitet 2003 dhe 2004, ishin në përputhje të plotë me ligjin vendas që synon mbrojtjen e interesave kombëtare.

Top Channel