Pas ankesës së një qytetareje, banore në objektin 8-katësh të rrethuar nga policia, dy përfaqësues të Avokatit të Popullit zhvilluan një takim me banorët në qytetin e Vlorës.
Komisionerët e Avokatit, Petrit Azemaj dhe Sotiraq Nushi, morën prej tyre dokumentacionin që posedojnë, ndërsa ndoqën nga afër edhe depozitimin e kërkesë-padisë, të kryer nga këta shtetas në Gjykatën Administrative, padi në të cilën pretendohet shkelje nga institucionet në bllokimin e objektit.
“Fëmijët kanë frikë të futen, sepse policët rrinë si gardianë te dera e shtëpisë. Çfarë krimi kanë bërë në shtëpinë tonë?… Ka gjykatë, ka Prokurori, ka Strasburg, prandaj kanë dalë këto, për popullin”, u shprehën nga banorë të pallatit.
Të dy komisionerët deklaruan se do të vijojnë të jenë të pranishëm në Vlorë për të tërhequr dokumentacion shtesë nga institucionet e përfshira në këtë çështje, si në Prokurori, gjykatë, polici dhe INUK.
“Qytetarët pretendojnë për veprime arbitrare të policisë dhe të INUK-ut. Në Gjykatën Administrative mësuam që është bërë një kërkesë-padi për sigurimin e padisë, pra për marrjen e masës provizore me qëllim ndërprerjen e veprimeve arbitrare nga institucionet përkatëse”, tha Petrit Azemaj, komisioner i Avokatit të Popullit.
Pas këtyre veprimeve proceduriale pritet që nga Avokati i Popullit të ketë një konkluzion me rekomandimet përkatëse.
“Në këto rrethana, ne këtë veprim do të bëjmë dhe pastaj do të konkludojmë”, shtoi Azemaj.
Top Channel