
Liderët e fraksionit paraushtarak FARK, në Kolumbi dhe negociatorët e qeverisë kanë rënë dakord për një të ardhme politike të grupit nëse arrihet marrëveshja e paqes.
Gjatë bisedimeve, që po zhvillohen në Kubë, të dyja palët ranë dakord për garancitë, kushtet dhe mbështetjen e një partie të re politike.
Grupi më i madh kolumbian i rebelëve dhe qeveria duhet ende të diskutojnë katër pika të tjera të axhendës së bisedimeve, që synojnë t’i japin fund konflitit të armatosur 50-vjeçar.
Rreth 220 mijë persona kanë humbur jetën në aktet e dhunës, sipas një studimi të Qendrës Kombëtare të Historisë në Kolumbi, ndërsa qindra mijëra të tjerë janë zhvendosur.
Njoftimi i së mërkurës u bë në kryeqytetin kubanez, Havana, ku qeveria kolumbiane dhe rebelët mbajnë negociatat që prej nëntorit të vitit të kaluar.
Kryenegociatori i qeverisë kolumbiane, Humberto de la Calle deklaroi se marrëveshja do të sjellë një perspektivë të re demokratike. “Nuk do të ketë kurrë më politikë dhe armë së bashku”, tha ai.
Ndërsa lideri i FARK, Ivan Marquez e cilësoi si një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur dhe për t’i dhënë fund konfliktit, me qëllim arritjen e një demokracie konkrete në Kolumbi.
Axhenda e bisedimeve ka gjashtë pika kyçe: reformën për pronën, pjesëmarrjen në politikë, çarmatimin, drogat ilegale, të drejtat e viktimave dhe implementimin e paktit të paqes.
Palët deri tani kanë rënë dakord mbi reformën e pronës. Pjesëmarrja e rebelëve në politikë konsiderohet si pika kyçe e bisedimeve dhe pritet që njoftimi i fundit të nxisë ecurinë e procesit.
Gjithësesi, mbeten ende detaje të rëndësishme për t’u sqaruar, përfshirë atë nëse disa anëtarëve të FARK duhet t’u ndalohet pjesëmarrja në politikë për shkak të abuzimeve me të drejtat e njeriut dhe krimeve kundër njerëzimit.
Top Channel