Kolana e librave ekonomike

06/11/2013 01:10

Universiteti Europian i Tiranës prezantoi kolanën e botimeve në fushën e studimeve ekonomike. Autorët më të mirë botërorë vijnë në shqip për të gjitha ciklet e studimit. Presidenti i UET-së, Ardian Civici, nënvizoi rëndësinë e këtyre botimeve.

“Në vazhdën e disa promovimeve të kolanave kemi kënaqësinë që të sjellim para jush një kolanë të re të librave të Fakultetit Ekonomik të autorëve nga më të shquarit në botë, të atyre autorëve që përbëjnë bazën dhe thelbin e studimit të lëndëve kryesore ekonomike, financiare dhe të zhvillimit në universitetet më prestigjioze të botës”, tha Prof. Dr. Ardian Civici.

Ndërsa zëvendës/rektorja Luljeta Minxhozi tha se përfitues kryesorë do të jenë studentët.

“Është një iniciativë që, përfitues të parë ka studentin dhe përdoruesin e këtyre librave. Studentët janë në gjendje të ballafaqojnë idetë e tyre, ato që mësojnë në auditoret tona me një metodologji nga më të përparuarat që është në tekstet mësimore”, tha zv/rektorja Luljeta Minxhozi.

Sipas dekanit të Fakultetit Ekonomik, Sulo Hadëri, ky është një hap drejt përafrimit të standardeve me universitetet e huaja.

“Ky realitet krijon premisa që, shumë shpejt, universitetet e fakultetet tona që dëshirojnë të ecin drejt standardeve, duke iu përafruar sa më shumë universiteteve më të mira të botës, të cilën aspirojmë dhe pjesë e së cilës duam të bëhemi, kanë një mundësi të madhe e siguri të japin gjithë mbështetjen e duhur jo vetëm për t’i botuar, por edhe për t’i përdorur këto libra”, tha Prof. Dr. Sulo Hadëri.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA