Itali, arrestohen 47 “jaka të bardha”

06/11/2013 00:00

Policia italiane ka arrestuar të mërkurën 47 persona, kryesisht politikanë, avokatë, biznesmenë e bankierë, për favorizim të krimit të organizuar.

Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave personat në fjalë kanë mundësuar investimin e parave të klaneve mafioze kalabreze, të fituara kryesisht nga trafiku i drogës, në sektorin e ndërtimit.

Sipas burimeve mediatike, agjentët e Guardia di Finanza kanë ekzekutuar ndërkohë sekuestrimin e 14 kompanive dhe të një seri pasurish me vlerë rreth 90 milionë euro.

Të arrestuarve u atribuohen akuzat e ushtrimit të aktiviteteve financiare abuzive, korrupsion dhe shkelje të tjera, ndërsa eksponentëve të botës kalabreze të krimit ushtrim dhune me qëllim goditjen e bizneseve të ligjshme.

Nga hetimet është zbuluar se pesë klane mafioze kishin bërë aleancë mes tyre për të marrë nën kontroll sektorin e ndërtimit, duke përfituar nga mbështetja e “jakave të bardha”.

Mediat italiane shtojnë më tej se, hetimet dhe kontrollet e autoriteteve të drejtësisë janë shtrirë edhe në rajone të tjera të Italisë, si Veneto, Piemonte, Lombardi dhe Pulia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB