Al Kaeda: Ne i vramë gazetarët francezë

06/11/2013 00:00

Al Kaeda në Magrebin Islamik, AKMI, vrau dy gazetarët francezë që u rrëmbyen në lokalitetin Kidal, në veri të Malit, thotë një njoftim në një faqe interneti të grupit.

Deklarata e AKMI thotë gjithashtu se vrasjet e së shtunës ishin një përgjigje ndaj “kryqëzatës së re të Francës”, raporton “Sahara Media”.

Trupat franceze dëbuan grupet islamike nga qytetet veriore të Malit pasi nisën një ofensivë në Janar. Franca e cilësoi vrasjen e Ghislaine Dupont dhe Claude Verlon si një “ekzekutim të mirëllogaritur”.

AKMI deklaroi se vrasja e reporterëve kishte si qëllim hakmarrjen ndaj “krimeve” të kryera nga trupat franceze dhe ato afrikane ndaj qytetarëve në veri të Malit, vijon raportimi i “Sahara Media” një agjenci lajmesh me bazë në Mauritani.

“Organizata vlerëson se ky është çmimi që presidenti Francois Hollonde dhe njerëzit e tij duhet të paguajnë për kryqëzatën e tyre të re”, thotë më tej njoftimi i AKMI.

Ghislaine Dupont dhe Claude Verlon, përkatësisht 57 dhe 58 vjeç, punonin për Radio France International, RFI. Ata u rrëmbyen dhe u qëlluan për vdekje ditën e shtunë, pasi kishin intervistuar një lider lokal në qytetin verior të Kidalit. Trupat e tyre janë atdhesuar tashmë në Francë.

Ministri i Jashtëm, Laurent Fabius ka deklaruar se operacionet ushtarake do të vazhdojnë për të gjetur vrasësit. Ditën e hënë, autoritetet e policisë së Malit deklaruan se një numër të dyshuarish ishin arrestuar në lidhje me dy vrasjet.

Top Channel