Ramush Haradinaj, kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një konferencë për shtyp u shpreh i zhgënjyer me rezultatin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit.

“Ne e kemi thënë edhe ditën e zgjedhjeve se nuk jemi të kënaqur me rezultatin edhe për faktin që kemi rritje të votës nga cilado palë zgjedhje paraprake, përfshirë edhe zgjedhjet e 2009 ku ishin 18 për qind. Pra, kemi rritje faktike të numrit të votës. Ne nuk e kemi menduar këtë si argument për të festuar për shkak se po shkojmë më tutje dhe po vazhdon puna“, deklaroi Haradinaj.

Haradinaj më së shumti u befasua me rezultatet në Pejë dhe Gjakovë. Për këto dy komuna ai tha se kryetarët aktualë e kanë nënvlerësuar gjendjen e tyre.

Ndërsa për komunën e Prizrenit, Haradinaj tha se është vendim i degës atje të bashkëqeverisë me Partinë Demokratike të Kosovës, në mënyrë që të kenë 4 drejtori dhe postin e nënkryetarit. Ramush Haradinaj rikujtoi se pretendimi i tij është udhëheqja e qeverisë.

AKR, Lila: Fitore në balotazh

Në anën tjetër, Mimoza Kusari-Lila, kandidate e Aleancës Kosova e Re për kryetare të Gjakovës, beson në fitore më 1 dhjetor. Kusari-Lila do të jetë në balotazh me kryetarin në largim të kësaj komune, Pal Lekaj. Pretendimet e Lekaj për koalicione të mundshme, Kusari-Lila i sheh si propagandë dhe frikë e tij nga humbja e kësaj gare.

“Ne nuk kemi frikë nga mundësia apo lidhja e koalicioneve, të cilat po paralajmërohen. Ato janë vetëm mesazhe frike apo paniku nga kryetari në largim për numrin e votave, të cilat ai tashmë i ka humbur. Kemi bindjen e fortë se ata të cilët i votuan kandidatët e tjerë nuk e deshën kyretarin aktual”, deklaroi Lila.

Kusari-Lila u shpreh se në raundin e dytë për Gjakovën, koalicionin e vetëm do ta bëjë me qytetarët e kësaj komune, duke shpresuar në fitore. Ndërsa zgjedhjet e 3 nëntorit ajo i vlerësoi si proces të mbarë, me përjashtim veriun e vendit.

Top Channel