Vizita e Papoulias në jug

05/11/2013 00:00

Vizitën e tij në jug të Shqipërisë, presidenti grek Karolos Papoulias e nisi me homazhe në varrezat e ushtarëve grekë në Këlcyrë.

Presidenti ndoqi me këtë rast edhe përshpitjen fetare për të rënët gjatë luftës. Më tej, presidenti grek udhëtoi drejt Gjirokastrës, Bashkia e së cilës i akordoi titullin “Qytetar Nderi” i këtij qyteti.

“Dua të falënderoj nga zemra kreun e Bashkisë, për nderin që më ka bërë. Me të vërtet u përpoqa për marrëdhëniet greko-shqiptare, sepse dy popuj miq nuk mund të jenë të ndarë, njëri ta ketë të mbyllur derën për tjetrin. Duhej të hapeshin dyert dhe u përpoqa, nuk ishte e lehtë. Akoma dhe sot kemi njerëz, që nuk e kuptojnë se çfarë do të thotë dashuri, miqësi, paqe. Ne do të përpiqemi për këtë vëllazëri midis popujve. Vij nga Këlcyra me plot emocione. Pashë kryqet e të rinjve, që u vranë në Këlcyrë. Përse u vranë? Që të tejkalojmë urrejtjen, luftën. Ne jemi me fat që jetuam, ata lanë eshtrat e tyre në lartësitë e Këlcyrës. Duhet të punojmë për paqen. Bashkë të bëjmë betejën. Dhe kur jemi bashkë, asnjëri nuk mund të na mposhtë”, u shpreh Karolos Papoulias.

Më tej, gjatë takimit me anëtarë të minoritetit grek në Dropull, presidenti Papoulias theksoi se ata janë të përfaqësuar.

“Helenizmi juaj ka dhënë vazhdimisht kontribut për mbrojtjen e kulturës greke. Ne ju jemi mirënjohës dhe dëshirojmë t’iu kujtojmë se adheu nënë është gjithnjë në krahun tuaj. I njohim problemet tuaja dhe përpiqemi që t’i zgjidhim ato që iu shqetësojnë, qoftë në Shqipëri, qoftë në Greqi. Janë kryer hapa të rëndësishëm, por ende jo gjithçka. E njoh problemin e pensioneve. Nga ana tjetër, duhet dhe ju të mos harroni se atdheu juaj kalon një periudhë të vështirë, por 2014-ta shpresojmë se do të zgjidhë shumë probleme”, tha më tej Papoulias.

Zoti Papoulias u tha minoritarëve se shërbimet konsullore do të evitojnë burokracinë për problemet që i shqetësojnë. Në fund të fjalimit pati një shkëputje energjie, gjë që solli edhe konfuzion në sallë. Për këtë defekt u tha se lidhej me një problem të shkaktuar në rrjet nga një gjenerator.

Top Channel