Dhunuesit e zgjedhjve lokale do të përballen me ligjin. Kështu ka deklaruar kryeministri kosovar, Hashim Thaçi, gjatë mbledhjes së qeverisë, ku ka theksuar se Kosova e kaloi testin evropian për organizimin e zgjedhjeve  të lira e demokratike.

Sipas tij, organizimi i zgjedhjeve në gjithë territorin për herë të parë pas 14 vitesh dhe pjesëmarrja e serbëve në veri, tashmë kanë legjitimuar marrëveshjen e Brukselit për një Kosovë unike, për një Kosovë të re, për një Kosovë si atdhe i gjithë qytetarëve të saj, me përfaqësim në institucionet qendrore dhe lokale.

“Me përjashtim të incidentit të izoluar, i tërë procesi ka qenë legal, i pranueshëm, i vlefshëm dhe me standarde ndërkombëtare. Jemi të vetëdijshëm që ka pasur shantazhe dhe kërcënime prej grupeve të ndryshme ekstremistësh në veri, por ata që kanë prishur kutitë e votimit do të ballafaqohen me drejtësinë vendore dhe atë ndërkombëtare”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërkohë, ministrja e Integrimit Vlora Çitaku ka raportuar për vizitën e saj në Luginën e Preshevës. Para kabinetit qeveritar, Çitaku ka thënë se shqiptarët në jug të Serbisë janë komuniteti më i diskriminuar në Evropë. Sipas saj, është turp i madh për Serbinë si shtet me aspirata drejt BE-së që pakicën shqiptare e ka lënë në një gjendje të mjerueshme.

“Me keqardhje them se shqiptarët e Luginës janë komuniteti më i diskriminuar. Ka qenë një përvojë prekëse për mua si ministre të shoh me sytë e mi gjendjen në të cilën jetojnë shqiptarët në një shtet që është kandidat për anëtarësimin në BE”, ka deklaruar Çitaku.

Ministrja ka vlerësuar se, megjithëse Kosova nuk është adresa që mund të zgjidhë problemet e shqiptarëve të Luginës, ajo ka për detyrë që t’i ndihmojë ata së paku në aspektin arsimor, reformimit të kurikulave, ndihmesat në bursa për studentët, etj.

Top Channel