“SHBA-Arabi Saudite, objektiva të njëjta në Siri”

05/11/2013 00:00

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, gjatë një vizite në Arabinë Saudite ka këmbëngulur se dy vendet aleate kanë rënë dakord për “synimet në Siri”.

Vizita është e para, që kur sauditët u irrituan me vendimin e SHBA-ve për të mos bombarduar Sirinë, pas sulmit me armë kimike në periferitë e Damaskut në gusht.

Njëri prej Princërve arabë tha se në atë kohë Riyadh-i po mendonte një “kthesë të madhe” larg Washington-it. “Nuk ka diferenca në marrëveshjen tonë reciproke mbi synimet në Siri”, tha Kerry gjatë një konference të përbashkët me homologun saudit, Princin Saud al-Faisal, të hënën.

Ai këmbënguli se Washington-i “nuk do të qëndrojë duarkryq teksa presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, vazhdon të përdorë armët” kundër popullit të tij. Princi saudit tha se diferencat me SHBA-të ishin kryesisht në lidhje me taktikat se sa me objektivat, dhe se mosmarrëveshje të tilla janë pjesë normale e marrëdhënieve mes dy vendeve të çfarëdoshme.

“Marrëdhëniet kanë qenë të bazuara gjithnjë mbi pavarësinë dhe respektin, si dhe shërbimet në interes të përbashkët”, tha ai. “Diferencat janë një çështje normale, teksa ne synojmë t’i sheshojmë ato nëpërmjet komunikimit”. Por, ndërkohë që theksonte forcën e lidhjes me SHBA-të, ministri fajësoi gjithashtu “dështimin e komunitetit ndërkombëtar për të ndalur luftën kundër popullit sirian”.

Negociatat për të zgjidhur një krizë “nuk mund të shkojnë drejt pafundësisë”, tha ai, duke iu referuar një konference të mundshme paqeje të propozuar nga SHBA-Rusi. Ai këmbënguli se disa “çështje të rënda, fatkeqësisht, kërkojnë ndërhyrje decizive dhe të vendosura, të cilat do t’i jepnin fund tragjedive humane që vijnë si rezultat i tyre”.

Kerry theksoi se Washington-i kundërshtoi ndërhyrjen ushtarake për t’i dhënë fund konfliktit 31-mujorsh. “Në mungesë të një zgjidhjeje të negociuar, ne nuk mund të shohim shumë mundësi për t’i dhënë fund dhunës të implementueshme apo të pëlqyeshme nga ne, sepse nuk kemi autoritetin ligjor, apo justifikimin, apo dëshirën në këtë moment për t’u përfshirë në mes të një lufte civile”, shtoi ai. “Mendoj se kjo gjë është bërë shumë, shumë e qartë”.

Turi 11-ditor i Kerry-t në Lindjen e Mesme vjen në fillim të një jave tepër të rëndësishme, teksa një takim është caktuar në Gjenevë në përpjekje për të vendosur një datë për bisedimet e paqes mbi Sirinë.

Me një vendim të paprecedent të muajit të kaluar, Arabia Saudite refuzoi një vend si anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurisë në OKB, në shenjë proteste ndaj dështimit të këtij organizmi për t’i dhënë fund luftës në Siri, që ka lënë të vrarë mbi 100 mijë njerëz.

Në krahun tjetër, regjimi sirian i Bashar al-Assad ka ritheksuar se nuk ka ndërmend të marrë pjesë në samitin e Zvicrës “për të lëshuar pushtetin”, siç kërkojnë me zë të lartë në fakt opozitarët dhe aleatët e tyre. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Informacionit, Omran al-Zohbi, i cituar nga agjencia shtetërore e lajmeve “SANA”.

“Nuk do të shkojmë atje për të hequr dorë nga pushteti, ashtu siç pretendojnë Saud al-Faysal, kreu i diplomacisë saudite, apo disa kundërshtues të jashtëm të qeverisë sonë”, ka deklaruar al-Zohbi.

Top Channel