New Jersey, të shtëna në një qendër tregtare

05/11/2013 00:00

Raportohen të shtëna me armë zjarri në Westfield Garden State Plaza Marr në Paramus të New Jersey-t, për të cilat është vënë në lëvizje edhe policia duke iu kundërpërgjigjur.

Të paktën 1 person i armatosur thuhet se ka qëlluar ndaj kamerave të sigurisë, bëjnë të ditur zyrtarë të policisë së shtetit gjatë orëve të vona të së hënës, me orën lokale. Momentalisht nuk ka raportime për të dëmtuar.

Eddie Kahmann, i cili është punonjës i qendrës tregtare, tha për CNN se kishte dëgjuar 6 apo 7 të shtëna rreth orës 21:20 me orën lokale.

“Pash vetëm njerëz që vraponin si të çmendur, kështu që me shpejtësi arrita të mbyllja dyert e mia, vrapova në pjesën e pasme, mbylla të gjitha dritat, muzikën dhe çdo gjë, vetëm e vetëm që të qëndroja i fshehur”, tha ai.

Kahmann foli nga brenda qendrës tregtare, një nga më të mëdhatë në zonën e New York City-t.

Ally Kozic, një tjetër punonjëse e qendrës tregtare, tha se kishte parë “dikë të veshur me të zeza, që mbante një armë të madhe teksa kalonte përpara dyqanit tonë”. Ajo tha se kishte dëgjuar të shtëna të zhurmshme rreth 10 minuta përpara se dyqani i saj të bëhej gati për mbyllje përgjatë natës.

Një prezencë e lartë e policisë raportohet pranë qendrës tregtare, teksa janë të paktën 20 mjete policie të identifikueshme lehtësisht por edhe jo të identifikueshme.

Policia ka veshur xhaketa antiplumb dhe zotëron armë ofensive. Njerëzit janë larguar nga vendngjarja dhe, sipas raportimeve të CNN, ata i kishin thënë korrespondentëve se policia i kishte njoftuar për rrethimin e qendrës tregtare.

Top Channel