Kriza humanitare në Siri

05/11/2013 00:00

Rreth 9.3 milionë njerëz në Siri, ose rreth 40 për qind e popullatës, ka nevojë për asistencë nga jashtë, ka paralajmëruar shefja humanitare e Kombeve të Bashkuara, Valeri Amos.

Numri është rritur me 2.5 milionë nga totali prej 6.8 milionësh që Kombet e Bashkuara dhanë në shtator. “Kriza në Siri vazhdon të përkeqësohet me shpejtësi”, tha Amos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Siria ka një popullatë prej 23 milionë banorësh. Ka më shumë se 2.5 milionë njerëz të izoluar apo të bllokuar në zona të ndryshme të vendit, shumë prej të cilëve jetojnë pa ushqime, energji elektrike apa ilaçe.

Agjencitë e ndihmave ankohen se qeveria siriane ka penguar aksesin dhe po përpiqet të kufizojë numrin e grupeve të huaja që operojnë në vend. Vendet fqinje si Jordania paralajmërojnë se nuk mund t’i bëjnë ballë fluksit të refugjatëve që vijnë nga Siria.

Kombet e Bashkuara përllogarisin se më shumë se 2 milionë njerëz janë larguar nga ky vend që kur filloi rebelimi atje, në mars të 2011-s. Pjesa më e madhe e tyre janë vendosur në Liban, Jordani, Turqi, Irak dhe Egjipt.

Ndërsa më shumë se 100 mijë njerëz mendohet të jenë vrarë që nga fillimi i konfliktit. Ndërkohë, i dërguari i Ligës Arabe dhe Kombeve të Bashkuara, Lakhdar Brahimi, pritet të zhvillojë bisedime me diplomatët amerikanë dhe ata rusë me qëllim hapjen e rrugës për një konferencë paqeje për Sirinë.

Në Gjenevë, Brahimi do të takohet edhe me përfaqësues nga vendet e tjera anëtare të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe vendeve fqinje të Sirisë, në prag të një konference të planifikuar për t’u mbajtur më vonë këtë muaj.

Qeveria siriane dhe grupet e opozitës nuk bien dakord në lidhje me mënyrën se si duhet të strukturohen negociatat zyrtare: opozita kërkon që presidenti Bashar al Asad të dorëhiqet, ndërsa Damasku thotë se nuk duhet të ketë parakushte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB