Edward Snowden ka lënë të kuptohet se është i gatshëm ta pyesin në Gjermani për aferën e NSA-së.
Po, a do të ishte kjo e mundur juridikisht? Disa politikanë vendas kane hedhur idenë që njeriut aq të kërkuar nga Amerika, t’i jepet azil.
Ajo që një javë më parë dukej, në rastin më të mirë teorike, tani po merr trajta konkrete: një dëshmi e 30-vjeçarit në Gjermani nuk tingëllon dhe aq e pamundur. Por, nëse do të arrinte të udhëtonte, Snowden do të humbiste statusin e azilantit dhe kur të kthehej në Rusi do t’i duhej të paraqiste edhe njëherë kërkesën nga e para.
Mundësia më e mirë, që lëvizja e tij të realizohet, duket një ofertë azili politik. Për t’i hapur derën ish-kontraktorit të NSA-së, Berlinit do t’i duhet të anashkalojë marrëveshjen e dorëzimit që ekziston mes Shteteve të Bashkuara dhe vendeve anëtare të bllokut europian.
Sipas Shërbimit Shkencor të Bundestagut, kjo do të ishte e mundur vetëm atëherë kur dikush ka kryer një vepër penale me karakter politik e jo kriminal, gjë që mund të pohohet në rastin e Snowden-it.
Zëvendëspresidentja e Bundestagut, Claudia Roth, i tha radios kombëtare gjermane, “Deutschlandfunk”: “Për ne do të ishte një sinjal i mirë, po të ishte e mundur që Edward Snowden të vinte lirisht në Gjermani, po të pranohej këtu, po të ishte dëshmitar këtu”.
Në numrin aktual të revistës “Der Spiegel”, 50 persona të shquar të jetës publike në Gjermani shprehen pro dëshmisë së Snowden në Gjermani, midis tyre janë edhe ish-sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Heiner Geisler.
Kremlini bëri të ditur të shtunën se Snowden është i lirë të takojë kë të dojë në Rusi. Edhe pyetja e tij nga Prokurori i Përgjithshëm gjerman do të ishte e mundur, pas një kërkese për ndihmë juridike.
Teorikisht, Snowden-in mund ta pyesin madje edhe nëpërmjet një lidhjeje me video, siç i pohoi Ministria e Brendshme gjermane agjencisë së lajmeve “Reuters”.
Top Channel