Bangladesh, 152 ushtarë dënohen me vdekje

05/11/2013 00:00

152 ushtarë u dënuan me vdekje nga një gjykatë ushtarakë në Bangladesh pasi u shpallën fajtor për akuzat e gjenocidit dhe konspiracionit të lidhura me kryengritjen e tyre në vitin 2009.

Më shumë se 150 të tjerë u dënuan me burgim të përjetshëm, ndërsa mes të akuzuarve për revoltën në bazat ushtarake që përfshiu vendin 4 vite më parë u përfshinë edhe disa civilë.

Të dënuarit ishin pjesë e 800 personave të akuzuar për revoltën që nisi në një bazë ushtarake në kryeqytetin Dhaka. Revolta nisi si një formë proteste për paga më të mira, por më pas doli nga kontrolli dhe brenda 30 orëve 74 persona gjetën vdekjen, 57 prej tyre oficerë.

Revolta u përhap me shpejtësi në bazat e tjera ushtarake, para se ushtarët kryengritës të dorëzoheshin.

Menjëherë pas kësaj ngjarjeje nisën hetimet dhe gjykimet për përgjegjësit e kësaj ngjarjeje. Që prej asaj kohe të paktën 6 mijë ushtarë janë dënuar, pjesa më e madhe e të cilëve me disa vite heqje lirie, ndërsa grupi i fundit i cilësuar si organizatori i gjithë revoltës do të përballet me dënimin kapital.

Në atë kohë, kryengritja vuri në një konflikt të rrezikshëm qeverinë dhe ushtrinë. Kryeministri i vendit kërkoi bisedime me ushtarët e revoltuar, ndërsa gjeneralët kërkuan ndërhyrjen me forcë për shtypjen e revoltës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB