Përfundimi i autostradës Tiranë-Elbasan do të shtyhet për shkak të vështirësive financiare të kompanisë së kontraktuar për ndërtimin e rrugës, si pasojë e detyrimeve të pashlyera nga ana e shtetit.
Pas një shtyrje të parë të afatit kontraktual nga 19 qershori në 19 dhjetor, të kushtëzuar nga procesi i shpronësimeve, qeveria do të rinegociojë me kompaninë greke afatin e përfundimit të rrugës.
“Problemet kanë lidhje me pagesën ndaj këtyre firmave që ekzekutojnë kontratat. Në bashkëpunim me kompaninë ne do rishikojmë kohën e realizimit të punimeve, duke imponuar një ritëm më të lartë se ky aktuali”, deklaroi ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Edmond Haxhinasto.
Gjatë inspektimit të punimeve të autostradës Tiranë-Elbasan, ministri Haxhinasto u zotua se të gjitha kompanitë që nuk kanë marrë paratë për punët publike të kryera do të likuidohen. Por nga ana tjetër ministri siguroi qytetarët se do të ketë një kontroll rigoroz të cilësisë së punimeve nga këta kontraktorë.
“Të gjithë parametrat teknikë të këtyre veprave do vëzhgohen me kujdesin më të madh, pasi paguhen nga taksat e qytetarëve dhe ne presim standardin më të mirë të mundshëm të këtyre veprave publike”, nënvizoi Haxhinasto.
Sipas Ministrisë së Transporteve dhe Infrastrukturës, borxhi total i trashëguar nga qeveria e mëparshme që shteti i detyrohet kompanive për punët publike është rreth rreth 450 milionë euro.
Top Channel