Austri, dënohen anëtarët e grupit neonazist

05/11/2013 15:50

Një gjykatë në Austri shpalli fajtorë për aktivitete të lidhura me neonazismin shtatë persona, të cilët morën dënime deri në gjashtë vite burgim.

Anëtarët e organizatës së njohur si “Objekt 21” u dënuan për “aktivizimin e lëvizjes Nacional-Socialiste”, një vepër penale e parashikuar nga kodi penal austriak që prej vitit 1947.

Dëshmitarët thanë në gjyq se të pandehurit shpreheshin vazhdimisht se “Fyhreri Adolf Hitler kishte të drejtë mbi gjithçka”, në takimet e fshehta që organizonin pranë qytetit të Vocklabrykut.

Austria u aneksua nga Gjermania në vitin 1938 dhe u përfshi thellësisht në krimet e luftës së Rajhut të Tretë.

Vetë Hitleri lindi dhe u rrit në Austri, ndërsa luftoi për ushtrinë Austro-Hungareze gjatë Luftës së Parë Botërore, përpara se të zhvendosej në Mynih ku nisi karrierën e tij politike.

Për shkak të ndjeshmërisë së veçantë të Austrisë mbi këtë çështje, glorifikimi i nazismit përbën një krim sipas legjislacionit në fuqi.

Top Channel