Interesimi i madh i mediave greke për vizitën e presidentit Karolos Papoulias ka vazhduar përgjatë gjithë kohës që ai ka zhvilluar takimet e ditës së hënë me homologun e tij, Presidentin e Shqipërisë Bujar Nishani, kryeministrin Edi Rama, apo kryetarin e parlamentit Ilir Meta.
Me titull “Mundësi për një shtytje të re në marrëdhëniet greko-shqiptare”, gazeta “To Ethnos” nënvizon se takimi midis dy presidentëve është zhvilluar në një klimë të përzemërt, ku janë shkëmbyer në mënyrë të sinqertë pikëpamjet për çështjet që u përkasin Greqisë dhe Shqipërisë, si dhe problemeve rajonale e ndërkombëtare me interes të përbashkët.
Sipas gazetës, dy pikat, të cilat dy udhëheqësit e lartë konsiderojnë se janë hallka e miqësisë midis dy vendeve, janë minoriteti grek në Shqipëri dhe qindra-mijëra emigrantë shqiptarë që jetojnë në Greqi për më se dy dekada.
Ndërsa versioni elektronik i gazetës “Proto Thema” thekson në artikullin përkatës se presidenti Nishani, që e ka quajtur z. Papoulias si një mik të madh të shqiptarëve, ka ngritur në takim çështjen e anulimit të ligjit të Luftës nga parlamenti grek.
Në shkrim theksohet edhe deklarata e kryeparlamentarit shqiptar, Ilir Meta, se roli i z. Papoulias në marrëdhëniet dypalëshe është tepër i çmuar. Sipas “Proto Thema”, presidenti grek ka deklaruar se Shqipëria në BE do të jetë jo vetëm një simbol i paqes dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, por diçka më tepër.
Ndërsa gazeta “Kathimerini” veçon deklaratën e presidentit Papoulias në Tiranë, se duhet të mbështesim marrëdhëniet tona në ato elemente që na bashkojnë. Më pas, artikulli iu referohet çështjeve të trajtuara në takime, si toponimet, kufijtë detarë dhe zhvillimet në rajon, ku përmendet fakti që presidenti shqiptar ka shprehur besimin se Athina, me vullnet politik, do të vlerësojë midis të tjerash pozitivisht njohjen e Kosovës.
“Kathimerini” thekson se Papoulias ka deklaruar që Athina zyrtare, gjatë Presidencës së ardhshme në BE, do të promovojë në mënyrë aktive proçesin e integrimit të Shqipërisë.
“Takimi Papoulias-Nishani për të gjitha problemet”, “Protestë ndaj vizitës së Papoulias”, janë dy titujt e versionit elektronik të gazetës “Eleftherotipia”. Pasi përshkruan gjithë takimet dhe deklaratat e bëra, “Eleftherotipia” thekson se anëtarë të komunitetit çam kanë protestuar, duke argumentuar se autoritetet greke u kanë sekuestruar pa të drejtë shtëpitë dhe pronat, kur i kanë dëbuar nga Greqia, me dyshimet se kanë bashkëpunuar me forcat pushtuese të italianëve dhe gjermanëve, gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Top Channel