Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi e cilësoi si të izoluar incidentin zgjedhor në veriun e qytetit të Mitrovicës, ku huliganë të maskuar dhunshëm ndërprenë procesin e votimit dy orë para orarit zyrtar.

Në një konferencë për media, numri një i qeverisë kosovare tha se një rast i tillë nuk e dëmton procesin zgjedhor. Sipas kryeministrit Thaçi, pjesëmarrja e komunitetit serb në zgjedhjet për pushtetin lokal edhe në katër komunat veriore e ka legjitimuar marrëveshjen e arritur më 19 prill ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Ajo që është me rëndësi është se pjesëmarrja e qytetarëve në rreth 22 për qind ka legjitimuar lidershipin e ri në veri, në katër komunat. Po të kishin mbetur hapur ato qëndra votimi deri në orarin zyrtar, përqindja do të kishte qenë më e lartë. Të tjerat janë incidente të izoluara”, deklaroi Thaçi.

Kryeministri Thaçi e vlerësoi me pikët maksimale procesin zgjedhor në tërë Kosovën. Kosova, sipas tij, e kaloi me sukses testin e pjekurisë politike për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. “Kjo është një histori e re për Kosovën, një kapitulli i evropianizimit të shtetit tonë”, theksoi Thaçi.

Nga ana tjetër, lideri i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti vlerësoi se zgjedhjet në veri dështuan. Megjithatë, edhe Kurti pajtohet se procesi zgjedhor kësaj radhe ishte me standardet e kërkuara. Sipas tij, rol në mbarëvajtjen e zgjedhjeve luajtën edhe 7.500 trupat e Vetëvendosjes të trajnuara ekskluzivisht për ta mbrojtur votën.

Sidoqoftë, Kurti nuk është i kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve për subjektin e tij, por as nuk fajëson strukturën e Vetëvendosjes për këtë. Sipas tij, në këto zgjedhje ka vetëm një fitues. “Fituesi i vërtetë i zgjedhjeve është Shpend Ahmeti. Banorët e komunës së Prishtinës e mbështetën Shpendin fuqishëm dhe dëshmuan se i duan ndryshimet”, deklaroi Kurti.

I nxitur nga pyetjet e gazetarëve, Kurti la të nënkuptohet se nuk do të bëjë koalicion me subjektetet e tjera për ta mposhtur LDK-në në raundin e dytë të zgjedhjeve për balotazhin e Prishtines. Sipas tij, janë qytetarët ata të cilët treguan me votën e tyre se dëshirojnë ndryshimin. Lëvizja Vetëvnedosje garoi për herë të parë në zgjedhjet për pushteitn lokal.

Top Channel