Meksikë, 13 të vrarë në betejën urbane

04/11/2013 16:20

Të paktën 13 persona mbetën të vrarë ditën e dielë, gjatë një beteje urbane të ndodhura në qytetin meksikan të Matamoros, në Tamaulipas, raportuan burimet zyrtare.

12 burra e djem e një grua ishin viktimat e shkëmbimit të zgjatur të zjarrit në tre episode të ndryshme dhune midis trafikantëve të drogës dhe forcave të ushtrisë.

Metamoros, një qytet i ndodhur pranë kufirit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është shndërruar në një prej vendeve më të rrezikshme të planetit, edhe sepse është në qendër të luftës për territor midis dy karteleve të fuqishme të Gjirit dhe Zetave.

Në mënyrë ironike, është vetë shteti që ka ndezur më shumë luftën mes karteleve, duke arrestuar gjatë muajve të verës liderat e secilit prej këtyre dy grupimeve të fuqishme të krimit të organizuar.

Si rrjedhojë, kartelet ndodhen në një fazë riorganizimi dhe ripërpjekje për të fituar territor të ri, nën veprimin e drejtuesve të tyre të rinj që dëshirojnë të konfirmojnë autoritetin e tyre.

Më shumë se 77 mijë meksikanë kanë humbur jetën që prej vitit 2006 në luftën kundër karteleve të fuqishme të drogës, pasi presidenti i atëhershëm, Felipe Calderon vendosi të lëshonte një ofensivë të gjerë kundër krimit të organizuar.

Top Channel