Mbrojtja e trashëgimisë

04/11/2013 00:00

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka kërkuar rishikimin e ligjit të trashëgimisë kulturore dhe fuqizim të partneritetit publik privat me qëllim ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit.

“Për një administrim më të mirë të objekteve dhe të trashëgimisë kulturore, si në zonat e mbrojtura dhe në zonat tampon, Ministria ka ndërmarrë një plan pune për riorganizimin territorial të trashëgimisë kulturore për të propozuar një strukturë të re. Drejtoritë Rajonale të Kulturës do të kthehen në Qendra Ekspertize në Rajon dhe në të gjitha Drejtoritë Rajonale do të ketë një bërthamë ekspertësh të aftë për të reaguar në kohë dhe profesionalisht ndaj problematikave që mund të dalin me objektin në terren. Kjo do të thotë që do të bëjmë një reduktim të numrit të drejtorive ekzistuese, pra të pjesës administrative, por do të shtohen sektorët në terren”, tha Ministrja Kumbaro.

E pyetur nga deputetet lidhur cështjen e muzeut privat të zotit Gjergji Thimio, Ministrja Kumbaro tha se koleksionisti kishte qenë i licensuar, por nuk e kishte rinovuar atë sipas ligjit të ri të trashëgimisë kulturore.

Alfred Peza, deputet i PS: Një aksion i policisë në lidhje me bllokimin e disa ikonave…ka kontraditë mes shifrave të dhëna nga policia dhe nga Ministria e Kulturës në lidhje me këto objekte dhe kush është e vërteta?

Mirela Kumbaro, Ministre e Kulturës:
Zoti Gjergji Thimio nga viti 1996 ka bërë një kërkesë për të patur një muze privat dhe nga ministria e asaj kohe është shprehur vetëm një lloj dakortësie për ushtrimin e koleksionistit privat. Por nga hyrja në fuqi e ligjit të ri për veprat e artit në vitin 2005 ky subjekt nuk ka aplikuar më në kuadrin e këtij ligji të ri pranë Ministrisë për t’u licensuar. Kemi kundërshti në deklarimin e parë të Policisë që numëroi copëzat, por me mbërritjen në Galerinë e Arteve u pa që shumë copëza ishin pjesë e së njëjtës.

Gjatë raportimit të saj në Komisionin e Medias, Ministrja e Kulturës kërkoi dhe rritje të gjobave në cdo rast të shkeljeve administrative. Ajo garantoi se do të rindërtohen marrëdhëniet me UNESCO-n të prishura tashmë për shkak të shqetësimeve të tyre në lidhje me destinacionin e fondeve.

Top Channel