
Në Kosovë po vijon numërimi i votave për zgjedhjet vendore. Korrespondentët tanë atje na njoftojnë rezultatet e para që tregojnë se LDK-ja është rikthyer në forcë e parë politike në vend.
Në një konferencë të zhvilluar në mesnatë, edhe kreu i PDK-së, njëkohësisht kryeministri i vendit, Hashim Thaçi, ka deklaruar se partia e tij është shpallur fituese në 15 komuna.
Secila parti jep të dhëna për fitore në disa komuna të vendit, ndërsa komuna e Prishtinës duket se ka bërë një ndryshim të madh sepse ndodhet në balotazh deri më tani mes kandidatëve të LDK-së, Isa Mustafa dhe Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes.
Parregullsitë e këtij procesi votimi kanë qenë pothuajse të njëjta me ato të rasteve të kaluara, kryesisht votimet familjare dhe fotografimi i votës, që në këto zgjedhje konsiderohet si vepër penale, si dhe qëndrimi i personave të paautorizuar afër qendrave të votimit, probleme këto të denoncuara nga koalicioni i organizatave joqeveritare “Demokracia në Veprim”.
Denoncimi i parregullsive
“Voto e Vëzhgo”, raportohen 3 mijë raste parregullsish
Qytetarët e Kosovës i janë përgjigjur fushatës “Voto dhe Vëzhgo”, ku deri në orët e pasdites janë raportuar rreth 3000 raste të parregullsive gjatë procesit të votimit.
Për herë të parë në Kosovë, të gjithë qytetarët kanë mundësi të jenë vëzhgues në zgjedhje. Numri 500 88 është vënë në dispozicion të qytetarëve nga Fondacioni i Kosovës për Shoqëri të hapur (KFOS), ku mund të raportohet pa pagesë.
“Më shumë se 25% e rasteve ka të bëjë me listën e votuesve, e cila vazhdon të përbëjë një problem të madh, të jetë e papastruar, ndaj raportohet gjithnjë e më tepër. Në anën tjetër kemi edhe menaxhimin e vendvotimit, ku paraqiten të gjitha rastet e abuzimeve të ndryshme nga zyrtarët që ndodhen. Më pas menaxhimi i qendrave të votimit, presionet, manipulimi me votën, etj, kanë qenë fenomenet që janë raportuar shumë shpesh deri tani”, tha Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i KFOS.
Luan Shllaku, ndër të tjera, u shpreh i kënaqur për gatishmërinë e qytetarëve për raportimin e parregullsive.
Votimi familjar, shitblerja e votës, fotografimi i votës, votimi i dyfishtë, janë disa nga parregullsitë që mund të raportohen.
Fushata“Voto dhe Vëzhgo” ka mbështetjen e të gjithë operatorëve telefonik në Kosovë, duke ofruar shërbimin falas. Numri 500 88 do të jetë në dispozicin të qytetarëve gjatë gjithë ditës së zgjedhjeve.
“Zgjedhjet test pjekurie”
Jahjaga dhe Thaçi, votojnë në Prishtinë
Me thirrjet që qytetarët të dalin në zgjedhje, Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga vlerësoi se ky proces zgjedhor do të jetë test i pjekurisë politike, demokracisë, por edhe dëshmi e një shteti gjithëpërfshirës i cili po ndërtohet. Zonja Jahjaga votoi në sallën “1 tetori” në Prishtinë.
“Këto zgjedhje janë test i pjekurisë sonë politike, i demokracisë sonë të brendshme dhe janë dëshmia e një shteti gjithëpërfshirës, të cilin ne jemi duke e krijuar, si Republikë e Kosovës. Dita kur shprehet vullneti politik është një ditë kremte. Është edhe një ditë përkujtimi për sakrificën, nëpër të cilën ka kaluar shoqëria”, tha Atifete Jahjaga, presidente e Kosovës.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, rikujtoi se këto zgjedhje janë historike për Kosovën, pasi ato mbahen për herë të parë në gjithë territorin e saj.
“Edhe sot kam besim të plotë se shteti ynë, Kosova, dhe qytetarët e Kosovës do të kalojnë testin europian për të ardhmen e tyre, pra për të dëshmuar rendin demokratik, zhvillim aktiv të demokracisë dhe perspektivë të sigurt europiane”, tha Hashim Thaçi, kryeminstër i Kosovës.
Urimit për zgjedhje të lira dhe demokratike i është bashkuar edhe ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracy Jacobson. Ajo ka shkruar në rrjetin social Twitter, se është në vëzhgim të procesit zgjedhor dhe se pret zgjedhje të lira, të drejta e pjesëmarrje të lartë.
Edhe kryetarët e partive politike, si dhe kandidatët për kryetarë komunash, që në orët e paradites kryen detyrimin e tyre për të votuar. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, tha se qytetarët duhet të tregojnë me votën e tyre se Kosova është shtet demokratik, i cili respekton votën e lirë të njerëzve dhe se rezultatet e votimeve janë ato që legjitimojnë vullnetin e lirë të qytetarëve.
Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, uroi po kështu për zgjedhje të lira. Ai shtoi se në mandatin e ardhshëm Kosova duhet të qeveriset nga njerëz të lirë dhe të ndershëm, të cilët kanë legjitimitet demokratik.
Për zgjedhje në frymë demokratike bëri thirrje edhe kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli. “Me votë mund ta ndryshojmë gjendjen tonë për të mirë dhe unë besoj që po e ndryshojmë për mirë”, – tha lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, pasi kreu procesin e votimit.
Top Channel