BE: Keqardhje që partitë në Kosovë s’gjetën një figurë unifikuese për president Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të tre nëntorit tregojnë se Kosova do të shkojë në balotazh në gjithsej 24 komuna. Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike do të ballafaqohen në tetë prej tyre.
Kështu PDK-ja shkon në raundin e dytë me LDK-në në Gjilan, Prizren, Dragash, Lipjan, Ferizaj, Viti, Klinë dhe Kamenicë.
Raund të dytë do të ketë edhe Vushtrria, Rahoveci dhe Suhareka në të cilat do të garojnë kandidatët e Partisë Demokratike dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Kandidati i AAK-së së Ramush Haradinaj do të përballet në raundin e dytë të zgjedhjeve me kandidaten e AKR-së Mimoza Kusari Lila dhe në Gjakovë. Mitrovica e jugut con në balotazh PDK me AKR.
Komuna e Junikut, Obiliqit dhe Pejës do të ballafaqojë kandidatët e LDK-së dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës. Iniciativa Qytetare për Malishevën e ndarë nga PDK-ja pak para zgjedhjeve, po kështu është në balotazh me LDK- në.
Edhe në kryeqytetin kosovar do të votohet në raundin e dytë. Kandidati Isa Mustafa nuk e kaloi 50 përqindëshin e votave në Prishtinë duke shkaktuar kështu një përballje të dytë me kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje Shpend Ahmeti.
Interesante është fakti se në këto zgjedhje, PDK-ja fitoi në raundin e parë vetëm në katër komuna, LDK-ja në tri dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në vetëm një komunë. Vetëvendosje përvec që s’e fitoi asnjë komunë edhe balotazhin do ta ketë vetëm në Prishtinë.
Komunat në të cilat do të qeverisë PDK-ja në mandatin e ardhshëm janë Kaçaniku, Skënderaj, Shtimja, dhe Drenasi. Istogun, Fushë Kosovën dhe Podujevën e fitoi në raundin e parë LDK-ja.
Kandidati i pavarur Rufki Suma ndërkaq fitoi sërish në raundin e parë Komunën e Hanit të Elezit. Edhe partia turke ka fituar në komunën e Mamushës. Sa i përket komunave me shumicë serbe, shihet qartë se Lista Serbe e krijuar këtë vit me mbështetjen e shtetit serb ka gjetur përkrahjen e komunitetit serb.
Kështu kjo listë shkon në balotazh në Novobërdë me kandidatin e LDK-së Bajrush Ymeri, në Partesh Kllokot dhe Graçanicë me Partinë e Pavarur Liberale Serbe e cila drejtohet nga zëvendëskryeministri Slobodan Petrovicit. Ky i fundit ka rastin të ballafaqohet në raundin e dytë me partnerin e tij të nivelit qendror, partinë e kryeministrit Thaci në komunën e Shtërpcës.
Rezultatet ende nuk dihen për katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës. Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale në Kosovë do të zhvillohet me 1 dhjetor.
Top Channel