Bashkimi Evropian dënoi incidentet e dhunshme gjatë zgjedhjeve lokale të së dielës në veriun e Kosovës, duke konsideruar paraprakisht se ato prishën procesin e rregullt në pjesën tjetër të vendit.

“Ajo që mund të them në këtë moment është se ne i kemi ndjekur nga shumë pranë këto zgjedhje. Ne i dënojmë incidentet e dhunshme që ndodhën dje në veriun e Mitrovicës, pasi, siç e keni parë, ato prishën procesin që u zhvillua në mënyrë të rregullt në pjesën tjetër të vendit”, deklaroi zëdhënësja Maja Koçijançiç.

Zhvillimi i ndershëm dhe i rregullt i këtyre zgjedhjeve është pjesë përbërëse e zbatimit të Marrëveshjes së Prillit mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa “nota” e BE-së pritet të jetë më e qartë të martën, pas publikimit të raportit të misionit të saj vëzhgues.

Në lidhje me vlerësimin e zbatimit të marrëveshjes për pjesën e zgjedhjeve, nuk përjashtohet mbajtja në Bruksel gjatë kësaj jave e një raundi tjetër dialogu mes kryeministrave të Kosovës dhe të Serbisë, me gjasë të mërkurën, dita e vetme kur kjo është e mundur për ndërmjetësuesen e BE-së, Catherine Ashton.

Rasmussen dënon incidentet në veri
“Dhuna të mos cënojë marrëveshjen e prillit”

Incidentet e dhunshme gjatë zgjedhjeve në Kosovë u dënuan edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, i cili e nisi konferencën e përmuajshme të shtypit me ngjarjet në veriun e Mitrovicës.

“Dënoj fort sulmet mbi qendrat e votimit në veriun e Mitrovicës. Dhuna dhe frikësimet nuk mund të tolerohen. Zgjedhjet janë një element i rëndësishëm në normalizimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe dhuna nuk duhet lejuar të prishë përparimin e arritur deri më sot në këtë dialog”, tha Anders Fogh Rasmussen, Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s.

Pasi shpjegoi shembullin e ndërhyrjes së djeshme të KFOR-it, me kërkesën e EULEX-it, Rasmussen garantoi se KFOR do të mbetet vigjilent në këtë moment kyç dhe se do të vazhdojë të veprojë në mënyrë të paanshme, me kujdes dhe vendosmëri, për të ruajtur një klimë të sigurt për të gjithë banorët e Kosovës.

Në përfundim, Sekretari i Përgjithshëm përsëriti se, për momentin, NATO nuk ka asnjë qëllim për uljen e numrit të trupave të saj në Kosovë.

“Planet e mëparshme për reduktim të forcave të KFOR-it janë pezulluar momentalisht, për arsye se ne konsiderojmë që është e rëndësishme të japim kontributin tonë në implementimin e marrëveshjes politike mes Prishtinës dhe Beogradit”, ka shtuar Rasmussen.

Përgatiti: Ernest BUNGURI

Reagim i SHBA dhe Britanisë
“Vlerësojmë procesin, dënojmë aktet e dhunës”

Ambasada e Shteteve të Bashkuara dhe ajo e Britanisë së Madhe në Prishtinë i vlerësuan si të suksesshme zgjedhjet lokale të mbajtura të dielën në Kosovë.

Ambasadat përshendetën punën e institucioneve vendore e ndërkombëtare për punën e kryer në mënyrë që të kishte zgjedhje të drejta dhe të lira. Në anën tjetër, dy selitë diplomatike dënuan aktet e dhunës të ndodhura në veri të Kosovës.

“Ambasada Amerikane nuk do të tolerojë përpjekjet për ta prishur procesin demokratik dhe për t’i penguar qytetarët të përzgjedhin përfaqësuesit e tyre në mënyrë të rregullt”, thuhet në reagimin për shtyp.

Ndërsa në reagimin e David Lidington, ministër për Evropën në Ambasadën Britanike thuhet: “Unë megjithatë jam i pikëlluar për incidentet e dhunës dhe frikësimit në veri të Kosovës, që detyroi mbylljen e hershme të vendvotimeve.

Mbajtja e këtyre zgjedhjeve në komunat në veri të Kosovës është një pjesë kyçe e marrëveshjes historike për normalizimin e raporteve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, e arritur më 19 prill.

Unë përshëndes përpjekjet e të dy qeverive për të inkurajuar pjesëmarrjen në zgjedhje të suksesshme dhe dënoj veprimet e një pakice ekstremiste, të cilat nuk duhet të lejohen të pengojnë progresin”.

Top Channel