
Njerëz me maska dhe të armatosur kanë ndërprerë procesin e votimit në dy qendra votimi në veri të qytetit të Mitrovicës. Bëhet fjalë për qendrën e votimit në “Shkollën e Mesme të Mjekësisë” dhe “Shen Sava”.
Sipas burimeve zyrtare, personat e paautorizuar kanë hedhur edhe gaz lotsjellës. E gjithë situata bëri që të tërhiqet ekipi i OSBE-së nga këto qendra votimi.
Zyrtarët e koalicionit të OJQ-ve “Demokracia në Veprim”, duke folur për këtë, raportuan se edhe vëzhguesit e saj janë tërhequr nga këto dy qendra votimi.
As Policia e Kosovës dhe as KQZ-ja, deri më tani, nuk janë deklaruar lidhur me këtë. Përgjegjësinë nga vetja e ka hequr “Lëvizja e Bojkotit”. Sipas burimeve të “Top-Channel”, anëtarë të kësaj lëvizjeje thanë se janë të interesuar për të ndaluar votimin, por jo për incidente të kësaj natyre.
Presion mes komunitetit serb
Qytetarët: Disa na thonë duhet votuar, ndërsa disa s’duhet votuar
Punëtorët e angazhuar për zgjedhjet bartnin materialet e nevojshme. Në veri, shumica e vendvotimeve u hapën me kohë, por votues kishte pak. Një pjesë e njerëzve nuk figuronin nëpër lista.
Rojet joformalë ruanin qendrat e votimit dhe, gati kushdo që kalonte aty, e akuzonin dhe e shanin. Ky është njëri prej problemeve kryesore, që shkaktoi frikë te shumë qytetarë. Pati probleme edhe për të votuar.
Krstimir Pantiç, kandidati i listës serbe, u detyrua të paraqitet dy herë në vendvotim. Pak kohë më pas, për të treguar se nuk ka frikë, Pantiç qëndroi në qendër të qytetit, së bashku me muzikën.
Kandidatët që kanë marrë pjesë në zgjedhje, pas votimit vlerësuan se procesi është i suksesshëm, pavarësisht numrit të vogël të votuesve.
“Secili ka të drejtë në mendimin e tij, edhe ata që janë pro dhe kundër. Por, askush nuk ka të drejtë të imponojë me dhunë mendimet e tij”, tha Oliver Ivanoviç, nga “Lista qytetare drejtësia, Serbia”.
“Ka pasur shumë probleme dhe vështirësi, por qytetarët janë të qetë dhe të vendosur për të votuar, pavarësisht planeve që janë përgatitur në Prishtinë”, tha Krstimir Pantiç, nga “Lista qytetare serbe”.
Përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë thënë se procesi është i rëndësishëm për demokracinë.
“Janë zgjedhje të rëndësishme për të tërë Kosovën dhe konsolidimin e demokracisë. Por, edhe për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi. Ne jemi vëzhgues dhe jam i lumtur të shoh njerëzit të votojnë për përfaqësuesit dhe të ardhmen e tyre”, tha Roberto Gvaltijeri, shef i misionit vëzhgues, BE.
Qytetarët thonë se kanë votuar dhe në hyrje të qendrës së votimit janë kërcënuar. Ka pasur edhe nga ata, që kanë marrë mjete për t’u mbrojtur.
“Unë jam e gatshme. Armë nuk kam, por e kam marrë këtë t’ia thyej hundën dikujt. Ky është turp. Jetoj në lagjen e boshnjakëve dhe me shqiptarët nuk kemi problem, kurse këtu sot jam frikësuar nga serbët”, tha një qytetar.
“Nuk jam frikësuar. Ky është vendi ynë dhe ata le të flasin çfarë të duan”, u shpreh një tjetër.
“Këto janë marrëzira, gjithkush duhet të votojë dhe ta duam vendin tonë”, tha një i tretë.
Në qytetet e tjera, po ashtu, numri i votuesve ka qenë i vogël dhe ata që kanë ardhur nga Serbia janë penguar kryesisht nga serbët e veriut, që janë për bojkot.
Atmosfera në veri ishte e tensionuar dhe jo shumë e këndshme. Veriu i Mitrovicës është zyrtarisht komunë e re dhe e ndarë tërësisht nga jugu. Shqiptarët shpresojnë se kjo ndarje do ta bashkojë veriun me jugun, por serbët nuk dyshojnë fare që janë në Serbi.
Suhodoll, shqiptarët votojnë
Fshati në veri të Kosovës, shumë pak serbë në votime
Një fluks më i madh i votuesve duket në qendrën e votimit në fshatin Suhodoll, ku votojnë kryesisht shqiptarët.
Suhodolli është në veri dhe aty jetojnë serbë e shqiptarë bashkë. Është afër pjesës veriore të qytetit dhe qytetarët shqiptarë kanë pritje të ndryshme nga zgjedhjet.
Adriana Hoxhiç, kandidate për kryetare të veriut, ka votuar në këtë qendër, duke shpresuar për fitore dhe një mundësi për ndryshim për qytetarët. Shefja e zyrës së Kosovës për veriun, ka kritikuar atmosferën në veri.
“Ne kemi paralajmëruar zgjedhje të tensionuara, por kam pritur një organizim më të qartë të strukturave të sigurisë. Është e papranueshme, që rrinë njerëz para qendrave dhe sillen në këtë mënyrë, pasi ky është proces demokratik, ngjarje historike dhe për këtë kanë rënë dakord Prishtina dhe Beogradi”, tha Adriana Hoxhiç, kanidate e pavarur.
Pak metra më larg është qendra e votimit për serbët. Aty, qytetarët që votojnë janë të paktë dhe duket se më të shpeshtë janë vizitorët nga mediat.
***
Në Kosovë po zhvillohen zgjedhjet për pushtetin lokal, të parat që
përfshijnë edhe komunat veriore me shumicë serbe. Deri në mesditë, votën
e hodhën 12% e më shumë se 1 milion e 700 mijë qytetarëve me të drejtë
vote.
738 qendra votimi në 38 komuna të Kosovës u hapën në orën 7 të mëngjesit. Sipas zyrtarëve të Komisionit Qendror Zgjedhor, nuk ka pasur vështirësi në fillimin e procesit përveçse ne zonat veriore, ku krahas votimeve po zhvillohet edhe fushatë kundër tyre nga grupet politike që kundërshtojnë përfshirjen e serbëve në zgjedhje.
Në Kosovë po votohet në 798 qendra votimi me 2 366 vendvotime me 1 779 357 persona me të drejtë vote.
Që në mëngjes u vu re një fluks qytetarësh që i drejtoheshin qendrave të votimit, teksa përveç veriut të Kosovës, nuk u raportuan parregullsi gjatë procesit të hapjes së votimit.
Kosovë, serbët pengojnë votimet
Persona të veshur me fanella të zeza ku shkruhet me gërma serbe “Bojkot”
janë duke penguar procesin e votimeve në veri të Mitrovicës, raportuan
mediat kosovare gjatë të dielës.
Këta aktivistë serbë pengojnë bashkëqytetarët që të ushtrojnë të drejtën e votës, ndërsa larguan më parë edhe komisionerët shqiptarë që duhet të merrnin pjesë në komisione.
Procesi i zgjedhjeve vendore, i nisur në orën 07:00 në të gjithë vendin, po vazhdon normalisht në pjesët e tjera të vendit.
Pavarësisht thirrjeve të Beogradit ndaj serbëve të veriut për t’u integruar në institucionet e Kosovës, duke marrë pjesë në zgjedhje, një pjesë e madhe e përfaqësuesve vendorë të serbëve janë shprehur kundër votimeve dhe duket se po kryejnë akte konkrete për të ulur sa më shumë pjesëmarrjen në këtë zonë të vendit.
Në një lidhje direkte nga Kosova, korrespondenti ynë, Idro Seferi arriti të përcillte të shtunën qëndrimet e serbëve, me Oliver Ivanoviç, kandatin për të urdhëhequr veriun e Mitrovicës që theksoi se nuk do të ketë bashkëpunim me Prishtinën në asnjë çështje politike apo Nebojsa Joviç, i Shtabit Antizgjedhor të Bojkotit që “profetizoi” pjesëmarrje shumë të ulët në zgjedhje.
Fatkeqësisht, zgjedhjet janë karakterizuar nga disa probleme në prag të mbajtjes së tyre.
Ditën e shtunë, dy incidente të rënda u regjistruan në vend, kur një kandidat i AAK-së për këshillin bashkiak të Skënderajt u ekzekutua në qendër të qytetit dhe kur një kandidat serb për Mitrovicën u rrah nga persona të paidentifikuar.
Jahjaga, apel për pjesëmarrje
Rreth orës 10:00 të së dielës, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ushtroi të drejtën e saj të votës, në qendrën përkatëse zgjedhorë në Prishtinë.
Pas votimit, Jahjaga iu drejtua bashkëqytetarëve duke thënë: “Unë sa përmbusha detyrën time si qytetare. i bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të marrin pjesë masivisht në këto votime, për të vendosur një standart të ri demokratik për vendin”.
Gjatë mëngjesit, kryeministri Hashim Thaçi gjithashtu votoi në Prishtinë, duke mos preferuar që të lëshonte komente për shtypin.
Top Channel