Tajlandë, policia heq barrikadat

03/11/2013 00:00

Protestuesit tajlandezë hynë në selinë qendrore të qeverisë pasi policia hoqi barrikadat jashtë Shtëpisë së Qeverisë dhe zyrave të policisë.

Situata në kryeqytetin Bangkok u shfaq e qetë pas lëvizjes së policisë, që sipas zyrtarëve synonte shmangien e konfrontimeve të mëtejshme.

Lëvizja erdhi pas përleshjeve të verifikuara gjatë fundjavës dhe së hënës, ku bomba gazi dhe plumba gome u përdorën. Kryeministrja tajlandeze deri tani ka refuzuar kërkesat e protestuesve për të dhënë dorëheqjen.

Yingluck Shinawatra deklaroi se është e hapur për negociata, por thirrjet për zëvendësimin e kabinetit të saj nga një këshill i zgjedhur i cilësoi si ilegale dhe jokushtetuese.

Protestat, që nisën më 24 nëntor, fillimisht ishin të qeta, deri ditën e shtunë kur dhe shpërtheu dhuna. Gjatë fundjavës dhe së hënës demonstruesit u përpoqën të prishnin barrikadat e policisë dhe të hynin në zyrën e kryeministres, por u zmbrapsën nga policia që përdori gaz lotësjellës.

Lideri i protestuesve, Suthep Thaugsuban deklaroi të hënën se manifestuesit do të merrnin nën kontroll Byronë e Policisë Metropolitane dhe t’ua kthenin atë popullit.

Ndërsa mëngjesin e së martës, me një lëvizje surprizë, policia i hoqi barrikadat dhe telat me gjemba që ishin vendosur rreth zyrave të saj dhe njoftoi se protestuesit ishin të mirëpritur për të hyrë brenda.

Gjithashtu, protestuesit po lejohen të kalojnë barrikadat edhe jashtë Shtëpisë së Qeverisë, që u bë skenë e akteve të dhunës gjatë së hënës.

Top Channel