Marina e SHBA-ve, dy avionë zbulues në Japoni

03/11/2013 01:10

Marina amerikane ka nisur dy nga avionët e saj zbulues të gjeneratës së re drejt Japonisë, një lëvizje e menduar shumë kohë më parë, që vjen në një kohë kur janë rritur tensionet mbi mbrojtjet ajrore të Kinës.

I dizenjuar për të rritur aftësinë patrulluese detare në distanca të largëta të Marinës, specialiteti i “P-8A Poseidon” është zbulimi i nëndetëseve, bënë të ditur zyrtarë të Marinës amerikane. Aeroplanët fluturuan nga Norfolk, në Virxhinia, drejt bazës ajrore Kadena, në Okinawa, gjatë ditëve të fundit.

“P-8A Poseidon” është gjithashtu pjesë e përpjekjeve të Marinës për të pasuar versionin “P-3C Orion”, duke qenë më i përparuar teknologjikisht se sa paraardhësit e tij dhe mund të fluturojë shumë më lart, me një ekuipazh prej 9 vetësh maksimumi. Ai mund të mbajë gjithashtu silurë, raketa kruiz, bomba dhe mina.

Ndërkohë që Marina po përpiqet të ribalancojë burimet në Paqësor, prania e këtyre lloj avionëve vjen në një kohë kur tensioni është rritur së tepërmi në rajon, pas vendosjes së një zone të re të mbrojtjes ajrore nga Kina, në Detin e Kinës Lindore.

Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe Korea e Jugut janë operuar së fundi me fluturimet e tyre ushtarake përmes zonës në fjalë, mbi ishujt e shumëdiskutuar, për të testuar Kinën, ndërkohë që avionët e rinj do të shtojnë aftësinë monitoruese në një rajon të ngarkuar me tensione.

Marina bëri të ditur se zhvillimet e fundit nuk bazohen mbi ndonjë kërcënim specifik.

“P-8 është një platformë multi-misionare, që do të vazhdojë të na japë aftësira të paçmueshme”, tha nënadmirali Matt Carter, komandant i patrullimit dhe zbulimit, përmes një deklarate.

“Numri i nëndetëseve në botë është duke u rritur me shpejtësi të madhe”, shtoi Carter. “Vendet e tjera janë duke ndërtuar ose blerë nëndetëse të avancuara, të qeta dhe ekstremisht të vështira për t’u zbuluar, ndaj dhe ne duhet të jemi të aftë për të avancojmë teknologjinë për të qenë të aftë t’i kapim ato”.

Avionët e rinj amerikanë në Kadena koinçidojnë me mbërritjen e zëvendës-presidentit Joe Biden në Japoni, duke nisur kështu një udhëtim disa ditor që do të përfshijë edhe ndalesat në Kinë dhe Korenë e Jugut.

Top Channel