
Inkuadrimi i Partisë së Fortë në skenën politike të Kosovës konsiderohet si diçka e re dhe interesante për faktin se për herë të parë bëhej humor me premtimet elektorale, por edhe me vet politikanët kosovarë.
Por, nuk rezultoi kështu. Partia e Fortë, me gjithë përpjekjet për të bërë skena dhe manovra humoristike nuk e mbajti primatin, kjo pasi përballë saj u vunë të gjitha partitë politike, të cilat paralelisht me premtimet ambicioze udhëhoqën një fushatë tejet gazmore.
Kënga kushtuar kandidatit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, shërbeu për të nisur fushatën e kësaj natyre. Kjo këngë, pavarësisht reagimeve ironizuese, ishte himn i fushatës së kandidatit të AAK-së për Gjakovën.
Vallet dhe këngët patriotike e kanë shoqëruar si kurrë më parë fushatën elektorale të zgjedhjeve të 3 nëntorit. Pjesë të valles, madje edhe në krye të saj, janë vënë edhe vet kandidatët për kryetarë komune, siç ishte rasti i kandidatit të AAK-së për Lipjanin, Fitim Selimi.
Interesi për vota nëpër komuna të ndryshme ka bërë që Behxhet Pacolli ta kritikojë shumë ashpër qeverinë e Kosovës, pavarësisht se vet është pjesë e saj, madje në pozitën e zv/kryeministrit. Gara për Prishtinën pa dyshim që ka qenë më e forta edhe në këto zgjedhje.
Kandidatët kanë kritikuar tej mase alternativat e njëri-tjetrit. Por, sa do të sundojë vullneti i popullit me Shpend Ahmetin, e tregon vet lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti. Të rralla kanë qenë rastet kur liderët e partive politike, në tubimet me qytetarët, janë fokusuar te pushteti lokal. Shumë prej tyre kanë bërë fushatë më shumë për zgjedhjet parlamentare që do të vijnë.
I ndodhur në koalicion me AAK-në, kryetari i Lidhjes Demokratike për Dardaninë, Nexhat Daci, ka folur madje edhe për erëra që po fryjnë nga lindja, me qëllim sipas tij që ta ndryshojnë rrugën e Kosovës drejt Europës.
Duke qenë se fushata zgjedhore zgjati 1 muaj, ajo filloi të bëhej e mërzitshme dhe e lodhshme, jo vetëm për qytetarët por edhe vet politikanët. Kandidati i LDK-së, Isa Mustafa, mallkoi qytetarët nëse nuk votojnë për LDK-në, me arsyetimin se ai ka investuar mjaftueshëm për fshatrat e Prishtinës.
Replikat nga tubimi në tubim kanë qenë të pashmangshme. Edhe Behxhet Pacolli mallkoi Isa Mustafën, i cili një ditë më parë kishte mallkuar qytetarët.
Dhe, për t’i vënë kapakun aktiviteteve të fushatës e interesimit të partive politike për të fituar ndonjë votë, komuna e Prishtinës, në ditën e heshtjes zgjedhore zgjodhi të punojë një rrugë, që kishte kohë pa punuar. Bëhet fjalë për lagjen Sofalia në kryeqytet, së cilës i mungon infrastruktura rrugore. Kamionët dhe mjetet e tjera të punës dolën të shtunën dhe shtruan një pjesë të rrugës me zhavor. Ata u larguan sapo panë ekipin televiziv të “Top-Channel”, ndërsa banorët thanë se kjo u bë në mënyrë tinzare pas ata ankohen prej vitesh.
Top Channel