Cilado, që mund të ketë dashur ndonjëherë të dukej apo të vishej si një princeshë, do ta ketë këtë mundësi të martën, kur një prej fustaneve më “përrallore” të Princeshës britanike Diana do të dalë në shitje në dhomën e ankandeve “Kerry Taylor”, në Londër.
Princesha ka qenë fotografuar disa herë, teksa mbante veshur këtë fustan, i cili ka qenë krijim i David dhe Elizabeth Emanuel, dizenjuesit e preferuar të Diana-s, ndërsa ka qenë inspiruar nga kompania e baletit të Diaghilev, “Ballets Russes”.
Fustani, me një ngjyrë qumështi e shndritshme dhe sekuenca ari, kristale dhe rruaza perlash të ngulitura kudo, ra në sy për herë të parë në shfaqjen e modës të Kryqit të Kuq për bamirësi, më 1986. I tërë ansambli përfshin mëngë femërore të heqshme dhe një rrip koke.
“Ky fustan ka një stil të ri romantik të viteve ’80”, tha Kerry Taylor, pronari i dhomës së ankandeve. “Ky ka qenë ndër më të preferuarit e saj. Është një lloj fustani, që çdo vajzë e vogël e ulur në bankat e shkollave do të vizantonte, nëse do t’i kërkohej të vizatonte një princeshë”. “Princeshë Diana i jepte pamje të ndryshme fustanit, teksa e vishte me aksesore të ndryshme e të shumta”, shtoi Taylor.
Fustani pritet të shitet për 130 mijë dollarë, kur të nxirret në ankand. Taylor tha se veshjet e Princeshës mund të arrijnë të shiten për një vlerë nga 50 mijë dollarë në 500 mijë dollarë, në varësi të bukurisë së tyre, rëndësisë historike të tyre, nëse ka ndonjë histori pas tyre, shpeshtësisë së veshjes nga Princesha dhe nëse ajo është fotografuar me to.
Top Channel