Çamët, protestë kundër Papulias

03/11/2013 00:00

Shoqata “Çamëria” do të organizojë përpara Presidencës një tubim, ndërsa kreu i shtetit shqiptar do të takojë homologun e tij grek, Karolos Papoulias.

Në një deklaratë për shtyp, ata sqaruan se kërkesa ndaj presidentit grek do të jetë heqja e ligjit të luftës dhe rreshtimi i tij personal në atë pjesë të shoqërisë civile greke, që pranon fajin ndaj komunitetit çam.

“Ne i kërkojmë Presidentit grek të rreshtohet me atë pjesë përparimtare të qarqeve akademike të shoqërisë civile greke, që e pranon fajin e vendit të vet ndaj komunitetit çam dhe kërkon pagimin e këtij borxhi, që gjendet në sirtarët e historisë. Në emër të Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve, Greqia duhet të heqë të gjithë ato ligje, që bien ndesh me të, në veçanti ligjin e luftës. Në kuadër të zbatimit të detyrimeve greke ndaj këtij Traktati, duhet të njihen detyrimet ndaj popullsisë çame dhe shqiptare në përgjithësi, sa i takon pranimit të fajit për genocidin, njohjes së të drejtave themelore të njeriut, ku përfshihet e drejta për restaurimin e shtetësisë, të drejtat pronësore, ato kulturore, gjuhësore, etj. Në veçanti, meqënëse Greqia vazhdon të këmbëngulë për ngritje varrezash të tjera ushtarësh grekë në Shqipëri, diçka që provokon kujtesën tonë kombëtare, ne i kërkojmë zotit Papulias të pranojë ngritjen në Greqi të varrezave të komunitetit çam, si dhe të monumenteve që përkujtojnë dëshmorët tanë në luftën antifashiste dhe viktimat e pafajshme të një faqeje të turpshme të historisë së vendit fqinj”, tha Adrian Tana.

Shoqata “Çamëria” ka vlerësuar qëndrimet e fundit të shtetit shqiptar, duke i konsideruar ato si një përmbushje të detyrimit kushtetues.

Top Channel