Edhe kompleksi “Jon” në Vlorë duket se do të jetë në listën e ndërtesave që do të shemben. Forca të INUK bënë matje pranë kësaj ndërtese gjatë së dielës dhe, pas verifikimeve, bllokuan ndërtesën.

Sipas Inspektoriatit të Ndërtimit, administratorët e tij nuk dorëzojnë dokumentacionin përkatës dhe për këtë arsye, INUK ka vendosur bllokimin e tij. Pak para se të bllokonte këtë pallat, kreu i Inspektoriatit, Zyhdi Dajti, iu përgjigj interesimit të mediave duke lënë të kuptohet se pallati do të hyjë në listën e objekteve për shkatërrim.

“Nuk bën përjashtim absolutisht as edhe një objekt. Të gjitha ato që nuk kanë respektuar ligjin, duke marrë leje nga autoritetet, do të kontrollohen dhe do të prishen”, tha Zyhdi Dajti.

Ka reaguar pas këtij bllokimi zyra avokatore e administratorëve të këtij pallati. Maks Haxhia u shpreh për “Top-Channel” se, veprimet për të rrethuar pallatin janë arbitrare, antiligjore. Sipas Haxhisë, INUK nuk ka paraqitur asnjë dokument për bllokimin e tij.

“Kemi te gjitha dokumentet, duke nisur me pronesine e truallit,me lejen e shehsit te ndertimit, me lejen e ndertimit,me procesverbalin e kolaudimit, me kontratat e shitblerjes te shtetasve qe kane blere apartamentet, kontratat qe keta shtetas kane me banken. Keta shtetas kane vene garanci ne hipoteke pikerisht apartamentet qe kane blere ne kete pallat. Ne do t’i drejtohemi gjykates per shkeljen e te drejtes. Jam i bindur qe ky eshte ne veprim i nxituar qe e ka rrugen per t’u riparuar, nuk kemi te bejme me zaptim apo demtim prone, por shteti duhet ta gjykoje duke u udhehequr nga ligji per te marre hapat e duhura”, tha Haxhia.

Gjatë tre ditëve të fundit në Vlorë janë prishur 13 objekte pa leje kryesisht lokale. Një aksion i Inspektoratit të Ndërtimit do të vazhdojë deri në shkatërrimin e plotë të çdo lloj ndërtimi pa leje. Në projekt janë për t’u shkatërruar 190 të tilla.

“Aksioni që ka ndërmarrë INUK ka filluar nga Skela dhe do të përfundojë në Llogara. Të gjitha objektet pa leje detyrimisht që do t’i nënshtrohen një kontrolli të rreptë të dokumenteve dhe do të prishen”, shtoi Zyhdi Dajti.

Fadromat kanë bërë edhe pastrimin e gjithë vijës bregdetare të plazhit të ri, me heqjen e inerteve.

Top Channel