Tmerr e kaos në LA, publikohen emrat

02/11/2013 00:00

Frikë dhe panik përjetuan pasagjerët në aeroportin ndërkombëtar të Los Anxhelosit, në Shtetet e Bashkuara, kur një person i armatosur qëlloi me pushkë në Terminalin 3, vrau një nëpunës të Administratës së Sigurisë së Transportit (TSA) dhe plagosi shtatë të tjerë.

Sipas autoriteteve, i dyshuari u plagos nga policia dhe u arrestua prej saj. Ngjarja ndodhi në orën 9:20 të mëngjesit me orën lokale, 17:20 me orën tonë, në Terminalin 3 të aeroportit.

Personi, një djalë 23-vjeçar, i cili më vonë u identifikua si Paul Anthony Ciancia, i lindur dhe banues në Los Anxhelos, nxorri pushkën nga një çantë dhe hapi zjarr, më pas ndaloi në zonën e kontrollit dhe vazhdoi të qëllonte. Sipas burimeve zyrtare, ai veproi i vetëm.

I identifikuar është tashmë edhe nëpunësi i TSA-së, i cili mbeti i vdekur, 39-vjeçari Gerardo Hernandez, me detyrë oficer. Ndërkohë, njëri prej të plagosurve është në gjendje të rëndë, bëjnë të ditur burime spitalore. Fill pas ngjarjes u ndaluan të gjitha fluturimet. Kryebashkiaku i Los Anxhelosit, Erik Garceti, tha se të gjithë pasagjerët apo punonjësit që ndodheshin brenda aeroportit janë tashmë të sigurt dhe pranoi se kjo është hera e parë në histori, që vritet një oficer i TSA-së në detyrë.

Shtëpia e Bardhë konfirmoi se presidenti Barak Obama ishte informuar për incidentin. Makina të emergjencës dhe forca të shumta policie, të armatosura mirë, u mblodhën në vendin e ngjarjes nga frika e degradimit të situatës apo të ndonjë sulmi terrorist.

Dëshmitari Robert Perez deklaroi për CBS se oficerët e sigurisë së aeroportit klithën për të paralajmëruar se një person ishte i armatosur. “Unë dëgjova të shtëna dhe të gjithë u shtrinë në tokë”, deklaroi Perez.

Top Channel