Siguria, merren në mbrojtje tre oficerë të kërcënuar

02/11/2013 00:00

Merren në mbrojtje familjet e tre drejtuesve të lartë të policisë, pasi janë kërcënuar me jetë për shkak të detyrës.

Policia e Tiranës ka vendosur një shërbim të operacioneve speciale për ruajtjen e banesës dhe familjen e oficerit Shkurt Toplana, i cili para një jave u bë pjesë e një atentati me eksploziv. Autorët e dyshuar të ngjarjes thuhet se janë Renato Kazani, 18 vjeç, banues në Kodër Kamzë dhe Shaban Lami, punonjës policie. Të arrestuarit tentuan të ekzekutojnë Toplanën, i cili punon në Komisariatin Nr.6, duke vendosur një sasi lënde eksplozive në automjetin e tij.

Në ruajtje është edhe familja e Dorian Muçës, ish-zëvendësdrejtorit të Policisë së Elbasanit. Burime nga policia thonë se Muça, ka qenë objekt i kërcënimeve edhe gati dy vjet më parë kur iu vu tritol në derën e jashtme të banesës së tij në vitin 2011. Ndonëse ngjarja ka ndodhur para dy vjetësh, grupi hetimor nuk ka arritur të zbardhë autorët e këtij kërcënimi. Burime të brendshme të Policisë së Tiranës, bëjnë me dije se disa ditë më parë, persona ende të paidentifikuar kanë kërcënuar me anë të thirrjeve telefonike, ish-shefin e sektorit të parandalimit të krimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, B.K. Banesa e tij është vënë në ruajtje.

Top Channel